Nis me Vonesë Seanca e Kuvendit

Edhe sot sikurse dje Kadri veseli duke parë mungesa të shumë deputetëve të partive të pozitës prapë e nisi me shaka mbledhjen, duke thënë se duhet shikuar mos deputetët që po mungojnë i janë bashkuar opozitës.

Veseli tha se në sallë ndodhen 47 deputetë, ndërsa nisi periudha 30 minutëshe e deklarimit jashtë rendit të ditës.

Në këtë seancë nëse do të ketë kuorum do të votohet raporti i Komisionit për Integrime Evropiane dhe ai për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport dhe do të bëhet votimi i anëtarëve të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës Alma Lama ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, të cilat u zhvilluan me ndihmën e OSBE-së.

“Kjo që po ndodh është instalim dhe legjitimim i logjikës së sovranitetit të dyfishtë,” tha ajo.

Lama drejtoi disa pyetje, duke thënë se  a do ta konsideronin shkelje të sovranitetit shtetet anëtare të OSBE-së? A do të lejonte Serbia që OSBE-ja të bartte materialin zgjedhor të cilitdo shtet tjetër në territorin e saj?

Deputeti Raif Qela foli për gjendjen në veri të vendit.

“Kanë kaluar më shumë se 16 vjet prej kur pjesa e Mitrovicës është spastruar nga banda serbe. Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për këta qytetarë. Përderisa qytetarëve shqiptarë nuk u lejohet të kthehen në pronat e veta, Serbia zyrtare ndërton në atë pjesë,” tha Qela.

Sipas tij në Lagjen e Boshnjakëve, te Kroi i Vitakut e pjesë tjera janë ndërtuar objekte nga Serbia.

“.. Prona është e shenjtë për të gjithë, duhet të jetë edhe për qytetarët e asaj pjese,” tha Qela.