Ngritet aktakuzë ndaj drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë dhe një inspektori

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi – Lumi, dhe ndaj H.M., inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve J. Rr.-L. dhe H. M. nën dyshimin e bazuar mirë, se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, J. Rr.-L., në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, ka nxjerrë një konkluzionin 09 Nr.109, me datë 26 maj 2020, dhe pastaj me datë 29 maj 2020, në vendin e ngjarjes në parcelat kadastrale të të dëmtuarës kompanisë “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, ka udhëhequr me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e ka rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., dhe si rezultat i ka shkaktuar dëm material, duke i shkelur të drejtat kompanisë së dëmtuar.

Ndërsa i akuzuari H. M., në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nuk ka ndërmarrë masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist të ndërtuar nga investitori B. G. në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës.

Sipas njoftimit, inspektori është mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, dhe i njëjti me këto veprime, të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material dhe i ka shkelur të drejtat e saj.

“Po ashtu, H. M. akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fshatin Reshtan të Komunës së Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm,  po ashtu ka dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe nuk ka vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i ka dhënë afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.