Pame nga ekspozita “Evulucioni”. Foto: KALLXO.com.
“Nga UÇK-ja drejt NATO-s”, fotoreporteri Alban Bujari prezanton evolucionin e ushtrisë së Kosovës
Fotoreporteri Alban Bujari, më 30.12.2024, ka hapur ekspozitën “Evolucioni”, ku përmes fotografive prezantohet transformimi i Ushtrisë së Kosovës, nga UÇK-ja në TMK dhe nga TMK-ja në FSK, me synim NATO-n.
Bujari është ndër fotoreporterët e parë, i cili ka dokumentuar ngjarjet e periudhës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.
Përmes 35 fotografive të ekspozuara, ai ka paraqitur mobilizimin për çlirimin e vendit dhe rrugëtimin deri te themelimi i Ushtrisë.
Për KALLXO.com, Bujari ka thënë se për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe ka vendosur të prezantojë transformimin e UCK-së me synim anëtarësimin në NATO.
“Përkundër ekspozitave të deritashme që pasqyronin gjak e trupa të vdekur nga masakrat si në Prekaz, Reçak e Rugovë, etj., kësaj radhe vendosa të bëjë një ekspozitë për transformimin e UÇK-së në TMK, nga TMK-ja në FSK, me synim në NATO-n.” – tha ai për KALLXO.com.
Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes, ka deklaruar se Bujari, përmes fotografive ka dokumentuar luftën e UÇK-së.
“Pa këto fotografi, legjitimimi ndërkombëtar i luftës sonë do të ishte i vështirë. Vizitojeni ekspozitën e Alban Bujarit dhe shihni evolucionin e Ushtrisë së Kosovës – nga një Ushtri vullnetarësh çlirimtarë në një Ushtri profesioniste, e cila aspiron ta bëjë Kosovën anëtare të NATO-s.” – ka potencuar, ndër tjera, ministri Maqedonci.
Kurse, regjisori dhe kritiku, Naser Shatrolli e ka quajtur Bujarin “personifikim të fotografisë së luftës”.
“Katër etapa të transformimit të Ushtrisë së Kosovës janë në përmbajtje: nisur me UÇK, TMK, FSK dhe NATO.” – tha ai.
Përmes fotografive të tij, fotografi Alban Bujari ka dokumentuar masakrat që forcat serbe kryen në Kosovës gjatë luftës, si: masakrën ndaj Familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën në Reçak më 1999, masakrimin e shqiptarëve në Rogovë etj.
Gjatë kësaj periudhe, fotografitë e tij janë botuar në media të njohura ndërkombëtare.
Ekspozita e Bujarit qëndron e hapur një javë në lokalin D/9 në Prishtinë.