Në zgjerimin e papritur të Telekomit serb, shihet dora e Vuçiqit

Telekomi serb thotë se ka nevojë të rritet për të përballuar sfidat nga konkurrenti i tij kryesor, por lëvizjet e tij shoqëruar me polemike politike.

Telekom Serbia po përpiqet të sfidojë dominimin e konkurrentit kryesor në fushën e telekomunikacionit, United Group.

Megjithatë, zgjerimi i tij ka rezultuar i diskutueshëm, me kritikët që akuzojnë kompaninë se po ndihmon autoritetet serbe të fitojnë më shumë kontroll mbi mediat.

Me zyrtarët shtetërorë që tani hedhin poshtë mundësinë e privatizimit të kompanisë, ekspertët i shohin investimet e Telekomit në vend dhe në rajon si një mënyrë për të mbijetuar në treg dhe për të mposhtur dominimin e United Group.

Ai ka blerë tashmë operatorë televiziv, telefonik dhe interneti në Bosnje dhe Serbi dhe ka bërë një ofertë për Telekom Albania Deutsche Telekomit, ndërsa ka njoftuar më shumë blerje.

Por blerja e diskutueshme e operatorit kabllor të Kopernikus Technology në fillim të nëntorit ka sjellë ankesa dhe ka shkaktuar dyshime.

Kritikët thonë se blerja e çuditshme dhe e kushtueshme synon të ndihmojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të fitojë më shumë kontroll mbi stacionet televizive në Serbi, si edhe të ndihmojë kompaninë të mbetet konkurruese.

Menaxheri i përgjithshëm i Telekomit, Predrag Culibrk, nuk i fsheh planet e tij ambicioze.

Në fillim të shtatorit, ai tha se kompania kishte paguar një pjesë të konsiderueshme të borxheve të saj dhe ishte gati për një raund tjetër blerjesh.

“Po mendojmë blerjen e operatorëve në Serbi dhe Republikën Srpska,” tha Culibrk në konferencën Digital 2018 në Beograd, e cila mblodhi lojtarët më të mëdhenj rajonalë në biznesin e telekomunikacioneve.

Kompania po njoftonte lëvizjet e para drejt zgjerimit në shkallë të gjerë që nga përpjekja e dështuar për privatizim në vitin 2015, kur qeveria serbe thuhet se kërkoi 1.5 miliard euro për 58.1 për qind të saj në Telekom.

Në shtator, komisioni kombëtar i Bosnjës për mbrojtjen e konkurrencës lejoi një degë të Telekomit, Republika Srpska Telecommunications, të merrte përsipër operatorin Telrad Net.

Më 2 tetor, e njëjta kompani e Republikës Srpska bleu një operator tjetër boshnjak, operatorin telefonik dhe të internetit, Blicnet.

Fillojnë akuzat për interesa politike

Ndërtesa e Telekomit serb. Foto: (BETAPHOTO/MILAN OBRADOVIC/DR)

Telekom bleu Kopernikus Technology për 195 milionë euro nga fondi i investimeve polake Adris dhe nga biznesmeni serb Srgjan Milovanoviq, vëlla i të cilit është një zyrtar i partisë qeverisëse të presidentit Vuçiq.

Profesori i ekonomisë në Beograd Ljubodrag Saviq thotë se është dakord që Telekomi duhet të bëjë blerje, por vuri në pikëpyetje çmimin e paguar për Kopernikus.

“Nuk kisha përshtypjen se kompania ishte aq e madhe për atë çmim,” tha Saviq për BIRN.

Ndryshe nga kjo, Telekomi ofroi vetëm 60 milionë euro – më pak se një e treta e asaj shifre – për të blerë Telekomin Shqiptar, i cili ka 1,7 milionë abonentë. Kopernikus ka vetëm 200,000.

Ekspertët po ankoheshin ende për çmimin e lartë të paguar për Kopernikusin kur Milovanoviq në fillim të dhjetorit njoftoi blerjen e aseteve të Antena Group, duke përfshirë dy stacione televizive serbe me frekuenca kombëtare, për 180 milionë euro.

Milovanoviq ka mohuar shitjen e pjesës së tij të Kopernikut me qëllim blerjen e dy stacioneve televizive O2 dhe Prva.

Por Jugoslav Cosiq, drejtori i televizionit rajonal N1, e ka akuzuar Vuçiçin se fshihet ai pas blerjes së Kopernikusit nga Telekomi dhe për blerjen e mëvonshme të stacioneve televizive nga Milovanoviq.

“Është e qartë që shefi i Tekekomit, Predrag Culibrk, nuk ishte në krye të këtij operacioni. Në vend të tij ishte presidenti Vuçiç,” tha Cosiq për BIRN.

Vuçiq reagoi më 6 dhjetor, kur pretendoi se themeluesi i United Group, Dragan Solak, dhe lideri i Aleancës për Serbinë, Dragan Gjilas, ishin “shumë të zemëruar dhe nervozë”, sepse kishin dashur të blinin vetë Prva dhe O2.

“E gjithë kjo është rezultat i zemërimit, sepse interesat e tyre, të matura në miliona euro, janë në rrezik,” tha Vuçiq në stacionin televiziv pro-qeveritar TV Pink.

Duke qenë se N1 operohet nga operatori rival kabllor, Broadband serb, SBB, – që është në pronësi të United Group – Telekom e akuzoi N1 “se po sulmonte konkurrencën”.

Cosiq e mohon këtë. “N1 nuk po mbron United Group. Ne po polemizojmë me shtetin, i cili është pronar i rreth  60 për qind të Telekomit. Askush nuk mund ta ndalojë N1 të shohë operacionet e kompanive publike,” tha ai.

Qeveria mbron strategjinë e Telekomit

Blerjet kanë rritur shqetësime mes kritikëve të Vuçiçit, sidomos pasi vëllai i Milovanoviçit, Zvezdani, zotëron një kompani të veçantë që drejton kanale televizive që promovuan Partinë Progresive të Vuçiçit përpara zgjedhjeve të vitit 2012 – që e sollën atë në pushtet.

Zvezdan Milovanoviq është komisioner i Partisë Progresive për qytetin jugor serb të Nishit.

Ndërsa marrëveshja midis Telekomit dhe Kopernikusit vazhdon të shkaktojë kritika, kryeministrja Ana Brnabiq tha se nuk kishte arsye që qeveria të vinte në dyshim strategjinë e Telekomit.

“Telekomi po lufton për tregun dhe mendoj se ata po e bëjnë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Brnabiq për mediat në Beograd.

Kompania ende përballet me një betejë të vështirë për të sfiduar United Group, që në vitin 2017 kishte një pjesë prej 54 për qind të tregut kabllor, sipas agjencisë shtetërore për komunikime elektronike dhe shërbime postare, RATEL.

Telekom kishte një pjesë prej 25 për qind të tregut kabllor serb para se të blinte Kopernikusin, që Telekom pretendon se ka një pjesë prej 8 për qind.

Përveç SBB, United Group gjithashtu zotëron televizionin kabllor dhe ofrues të shërbimit të internetit Telemach, i cili operon në Bosnjë, Slloveni dhe Mal të Zi, si dhe platformën DTH, Total TV dhe OTT Net TV plus.

Megjithatë, Telekomi është i zënë duke u zgjeruar. Ndërsa oferta e tij për blerjen e Telekomit Shqiptar nga pronari i tij aktual, Deutsche Telekom, ka hasur rezistencën e autoriteteve shqiptare, ai po njofton blerje të tjera në Serbi dhe Bosnje.

Konsulenti i investimeve Mahmud Busatlija thotë se investime të tilla janë një lëvizje logjike. “Sa më shumë shërbime të ofrojë Telekomi dhe sa më shumë mbulim të mirë të ketë, aq më e sigurt është e ardhmja e tij,” tha Busatlija për BIRN.

Telekom nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me Kopernikusin dhe marrëveshje të tjera deri në kohën e publikimit.