Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në vendimin për shkarkimin e Dakës, Osmani përmend edhe mbledhjen e KQZ-së ku nuk u certifikua Albin Kurti

Gjatë ditës së sotme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar nga detyra kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në vend të Dakës është emëruar kryetari i ri, gjyqtari Kreshnik Radoniqi.

Në arsyetimin e vendimit për shkarkimin e Dakës, përmendet edhe data 22 janar të këtij viti, në të cilën datë u mbajt mbledhja e KQZ-së për certifikimin e listave zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 14 shkurt.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës ishin dëshmitarë të presionit të paprecedent nga Kryesuesja kundrejt stafit të KQZ-së në mbledhjen e 22 janarit të vitit 2021. Një presion i tillë, fatkeqësisht përsëri implikon ndikime të jashtme në vendimmarrje të KQZ-së”, thuhet tutje në vendimin që ka siguruar KALLXO.com.

Sipas arsyetimit, Daka me sjelljet e saj ka vënë në rrezik edhe afatet për proceset zgjedhore të përcaktuara paraprakisht nga vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,

Më 22 janar të këtij viti, një debat i ashpër u zhvillua në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në ditën kur po pritej të certifikoheshin listat zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, pati ngritje të tensioneve nga ana e anëtarëve të KQZ-së si dhe nga vetë Daka.

Gjatë asaj mbledhje, përfaqësuesi I VV-së, Sami Kurteshi kishte thënë se po bëhej përpjekje për të ndaluar kandidatë të caktuar që të dalin në garën e 14 shkurtit.

“Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.  E kemi një rekomandim… Ky është një selektimi negativ, diskriminimi, përpjekja për të ndaluar parti dhe kandidat të caktuar të dalin në votim në garën e 14 shkurtit, po duket qartë. Kjo ka të bëjë me emrin e “Albin Kurtit” dhe kjo po duket qartë, dhe po duket presioni që u bë dhe si, dhe pastaj janë futur edhe lista të tjera aty…”, kishte thënë atë kohë Kurteshi.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i kishte rekomanduar Komisionit Qendror Zgjedhor që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, kishte ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit.

Buleshkaj kishte theksuar se zyra që ai drejton kishte propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Madje në po atë mbledhje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kishte certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike, Vetëvendosjes (VV), Nismas Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).