Nju Jork, SHBA

Në SHBA po vendosen masa shtesë kundër pandemisë

Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 11 milionë. Shumë shtete po fuqizojnë masat kundër pandemisë në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Së fundi Miçigani dhe Uashingtoni kanë vendosur masa më të rrepta për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Në Miçigan shkollat e mesme dhe kolegjet do të mbyllen dhe restorantet do ta kenë të ndaluar të ofrojnë shërbime brenda.

Edhe në Uashington do të vlejë e njëjta masë për restorantet, ndërsa aty do të mbyllen edhe palestrat, kinematë, teatrot dhe muzetë.

Në Shtetet e Bashkuara është rritur edhe numri i të hospitalizuarve.

Mesatarisht, më shumë se 1.000 njerëz në ditë po vdesin nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në rreth 250.000.

Ekspertët janë duke u bërë thirrje njerëzve që ta trajtojnë me seriozitet përhapjen e koronavirusit, sidomos tani kur po afrohet Festa e Falënderimeve dhe ajo e Krishtlindjes./REL