Në fund të gushtit mbahet Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës Shqipe

Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do t’i zhvillojë punimet nga 19 deri 30 gusht 2019 në Prishtinë.

Drejtoria e Seminarit përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur orarin e mbajtjes së këtij aktiviteti.

Sikurse edhe viteve të kaluar edhe gjatë këtij seminari do të organizohen kurset e gjuhës shqipe për seminaristët e huaj në tri nivele, ligjërata për letërsinë dhe kulturës shqiptare, referime, tryeza shkencore e aktivitete tjera për albanologjinë.

Ndërsa sesionet shkencore të seminarit do të mbahen në dy ditët e fundit të Seminarit, më 29 dhe 30 gusht.

Tashmë janë caktuar edhe temat bosht të sesioneve shkencore, ku nga letërsia temë bosht është caktuar: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe?.

Tema bosht e sesionit të gjuhësisë është: Struktura e shqipes aktuale. Ndërkaq nga kultura temë bosht është caktuar: Rrjetet sociale, politika dhe etika.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës.

Ky seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në këtë link  mund të gjeni orarin e aktiviteteve të seminarit të 38-të: