Ndryshohet aktakuza për vrasjen me pagesë në Deçan

Në Gjykatën e Pejës sot ka filluar rigjykimi për rastin e vrasjes me pagesë kundër pjesëtarëve të grupit të përbërë prej katër personave, nën akuzën për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Katër të akuzuarit ishin dënuar me gjithsej 49 vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë, e pastaj ky vendim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.

Ky rast është kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës Supreme.

Sot në seancë gjyqësore prokuroria e rastit Valbona Disha – Haxhosaj tha se duke vepruar sipas sygjerimeve të Supremes bën përmirësimin e aktakuzës ndaj 4 të akuzuarve.

Kështu, tani sipas aktakuzës së re, Bekim Raja akuzohet për shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi sipas prokurorisë duke vepruar si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe Murat Sinanaj akuzohet për vrasje të rëndë të Ferdinand Gjinit.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, Bekim Raja për shkak të një përleshjeje fizike që kishte pasur me të ndjerin Ferdinand Gjini dhe me Mark Kqiraj, me qellim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka shtytë të pandehurin Gjon Pnishi që ky i fundit së bashku me Avni dhe Murat Sinanaj, të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

Dosja e prokurorisë thotë se për këtë porosi, Bekim Raja u kishte premtuar atyre shpërblim në vlerë prej 150 mijë franga, ndërsa nëse ka vonesa në kryerjen e vrasjes shpërblimi do të jetë 100 mijë franga zvicerane.

Sipas prokurorisë i pandehuri Murat Sinanaj, sipas porosisë së dërguar nga Bekim Raja e ka kryer vrasjen e Ferdinand Gjinit, i ndihmuar nga Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj në planifikimin e vrasjes.

Sipas prokurorisë, të pandehurit e kanë mashtruar viktimën duke e joshur me substanca në atë mënyrë që një natë para vrasjes i ndjeri takohet me të pandehurit Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi, ku merren vesh që të nesërmen Ferdinand Gjini së bashku me Gjon Pnishin, të shkojnë në fshatin Izniq te i pandehuri Avni Sinanaj për të marrë një sasi të substancave narkotike.

Të nesërmen viktima niset nga Gjakova për në drejtim të Deçanit me veturën e tij, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, ku me të arritur të ura që i lidh fshatrat Llukë dhe Prapaqan, i pandehuri Murat i del në pritë dhe me armë automatike privon nga jeta të ndjerin Ferdinand Gjini.

Aktakuza thotë se pas kryerjes se vrasjes, i pandehuri Bekim Raja ua jep shpërblimin prej 100 mijë frangave 3 të pandehurve të cekur me lartë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet në muajin maj.

Në këtë proces gjyqësor, prokurorja e rastit Valbona Disha – Haxhosaj, tregoi për kërcënimet që i janë bërë, vrasjen e fëmijëve e burrit të saj e edhe për metodat që sipas saj, janë përdorur nga i akuzuari Bekim Raja që ajo të tërhiqet dhe të dorëzohet nga rasti.

Në këtë rast janë përmendur edhe emra të tjerë dhe lidhje të biznesmenit Bekim Raja me deputetë të Kuvendit të Kosovës. Në përgjime telefonike Raja kishte kërkuar ndihmën nga babai i tij që të kontaktonte me deputetin Hajdar Beqa, ndërsa në një fotografi të publikuar, deputeti Beqa dhe Nasim Haradinaj ishin fotografuar me Rajën duke pirë shampanjë në një jaht.

Që të dy nuk e kishin mohuar takimin ndërsa e kanë përshkruar Rajën si njeri human.

I akuzuari Bekim Raja që akuzohej se e porositi vrasjen e Gjinit me pagesë, u dënua me 15 vjet burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vjet burgim e Murat Sinanaj me 19 vjet burgim.

Ndërsa i akuzuari Gjon Pnishi, i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë u dënua nga Gjykata e Pejës me 6 vjet burgim.