Foto: Komuna e Mitrovicës së Veriut

Ndërprerja e pagave të mësimdhënësve, Inspektorati i Punës gjobit Komunën e Mitrovicës së Veriut

Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjobë prej 300 eurosh për Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Kjo për shkak se Komuna e Mitrovicës  së Veriut i kishte ndërprerë 48 kontrata të punëtorëve, të cilët dyshoheshin se për gjashtë vjet janë paguar pa shkuar në punë.

Inspektorati mori këtë vendim me arsyetimin se më 08.09.2023 kanë pranuar kërkesën e parashtruar nga një palë kundër subjektit juridik “Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut” lidhur me ndërprerjen e këtyre pagave pa paralajmërim.

Më 03.10.2023, Komuna ka sjell (në inspektorat) kontratat e punës për mësimdhënësin, vendimin për ndaljen e pagave si dhe kërkesën që i është dërguar palës në procedurë për të dëshmuar vijueshmërinë në punë.

Lidhur me kërkesën e palës, inspektorati ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës, më 01.05.2018, ka lidhur kontratë të punës në afat të pacaktuar në pozitën mësues- edukator, e nënshkruar me Komunën e Mitrovicës së Veriut, dhe i njëjti deri në muajin qershor është paguar çdo muaj.

Me datë 25.07.2023 Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka nxjerr vendim me të cilin ka vendosur që t’iu ndalet paga mësimdhënësve.

Sipas inspektoratit ky vendim ka të meta sepse i mungon këshilla juridike dhe arsyetimi.

Në vendimin e Inspektoratit të Punës të cilin e ka siguruar KALLXO.com potencohet se kontrata ka qenë ende në fuqi.

“Përderisa kontrata e punës në afat të pacaktuar, lidhur me datën 01.05.2018 në mes të Komunës së Veriut dhe mësimdhënësit është ende në fuqi dhe si punëdhënësi ashtu edhe të punësuarit e kanë obligim t’i përmbahen kontratës së punës”- thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Ndër tjera, pretendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut se mësimdhënësit kanë qenë të obliguar ta dëshmojnë dokumentin e vijueshmërisë së rregullt në punë, bie poshtë nga organi i shkallës së parë të Inspektoratit të punës.

“Sa i përket mbajtjes së evidencës së vijueshmërisë në punë, i takon dhe obligohet punëdhënësi të mbajë evidencën e vijueshmërisë në punë e jo t’i kërkojë të punësuarit të dërgojë të dokumentuar vijushmërinë në punë”- thuhet tutje në arsyetimin e Inspektoratit.

Kundër vendimit të Inspektoratit të punës, ka ushtruar ankesë punëdhënësi. Vendimi është atakuar duke pretenduar se ka zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

“Me propozim që Organi i Shkallës së Dytë i IP-së të aprovojë ankesën dhe vendimin e kundërshtuar ta anulojë, komisioni i shqyrtoi shkresat e lëndës dhe vlerësoi se ankesa nuk posedon bazë ligjore lidhur me konstatimin e gjendjes faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale”- thuhet në vendimin e Inspektoratit.

KALLXO.com më 03.10.2023 raportoi se nga viti 2013 deri në vitin 2019, 48 persona dyshohet se kanë marrë paga për gjashtë vite në shkollat e Mitrovicës së Veriut pa shkuar fare në vendet e punës për gjashtë vite.

Për këtë sipas zyrtarëve të kësaj komune këta 48 punëtorë janë paguar nga buxheti i komunës 32,083.90 euro në muaj, apo 385,006.80 euro çdo vit.

Kështu e ka thënë për KALLXO.com, Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit në Komunën e Mitrovicës Veriore.

“Janë 48 persona të cilët kanë figuru në listat e pagave e që nuk ka dëshmi që të njëjtit kanë vijuar punën në vendin e punës për të cilën janë paguar. Bëhet fjalë për kontrata në: arsimin parashkollor, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm”, ka deklaruar Syla.

Ai ka shtuar se kontrata të tilla janë lëshuar që nga viti 2013 deri në vitin 2019.

“Kontrata të tilla janë lëshuar ndër vite, saktësisht që nga viti 2013, dhe janë si në vijim: Viti 2013, 2 kontrata; Viti 2014, 2 kontrata; Viti 2015, 3 kontrata; Viti 2017, 9 kontrata; Viti 2018, 23 kontrata; Viti 2019, 21 kontrata”.Ai shtoi se totali i pagesave për këta persona ka qenë 32,083.90 euro në muaj, që brenda vitit konsiston me një shumë prej 385,006.80 euro.

Tutje, Syla ka njoftuar se është marrë vendim për ndërprerjen e pagave për këta persona.

“Në muajin e parë të qeverisjes së re është marrë vendim për ndërprerjen e pagave, pasi që përfituesit nga këto kontrata nuk kanë arritë me e dëshmu vijueshmërinë e tyre në vendin e punës. Nuk ka asnjë person që paguhet nga buxheti i komunës e që nuk është i rregullt në vendin e punës”, ka bërë të ditur ai.

I pyetur se çfarë masa janë marrë për këta persona, ai ka thënë se rasti është adresuar te krimet ekonomike në Polici dhe prej aty ka përfunduar në Prokurori.

Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka thënë se kanë marrë një raport në lidhje me këtë dhe shtoi se do të veprohet sipas ligjit.

“Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është deleguar në Kompetencë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë raport informues me informatë të paraqitur nga Policia e Kosovës, që është pranuar në PSRK, me pretendime për përpilim të kontratave për vende pune, mjekë, infermierë dhe mësimdhënës. Lidhur me këtë do të veprohet sipas ligjit”, ka thënë Preteni për KALLXO.com.