Ilustrim - Foto: Bashkësia Islame e Kosovës

Naim Tërnava uron për Krishtlindje: Festat fetare na kanë bashkuar

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e Festës së Krishtlindjeve i ka dërguar telegram urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.

Me këtë rast, Myftiu Tërnava ka thënë se kjo festë simbolizon në vete lindjen, jetën e mbarësinë, si dhe porosinë për ndërtimin e shoqërisë së ndershme e të moralshme.

“Me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e kënaqësinë t’ju uroj e përgëzoj sinqerisht Ju, të gjithë meshtarët tuaj, si dhe besimtarët e krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Kërshëndella është festë që në vete simbolizon lindjen, jetën e mbarësinë, si dhe porosinë për ndërtimin e shoqërisë së ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë.”, bëhet e ditur në telegram.

Ndër tjerash, ai ka thënë se këto festa fetare kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, e na kanë bërë humanë.

“Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, na kanë bërë më humanë, më unikë e më të dashur dhe nëpërmjet këtyre vlerave edhe kemi ndërtuar e kultivuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë. Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi.”, bëhet e ditur më tej.

Festimi i Krishtlindjes do të vazhdojë edhe sot me mesha që do të mbahen në kishat e Kosovës, ndërsa Dodë Gjergji do të mbajë meshë në Katedralen “Zoja Ndihmëtare” në Prizren.

Ndërkaq, mbrëmë në Katedralen “Shën Nëna Terezë” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes. Me këtë rast, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ka kërkuar nga popujt e Evropës që të kenë më shumë besim tek populli shqiptar dhe të mos ta shohin si rrezik, por si trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të qytetërimit të vetë.