Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava - Foto: REL/ courtesy image

Myftiu Tërnava reagon pas shkrimeve se vëllai i tij rrahu një 15-vjeçar

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas shkrimeve në disa portale se vëllai i tij ka rrahur një 15 vjeçar me çekan dhe ka pasur probleme familjare në familjen e tij.

KALLXO.com ka kontaktuar me myftiun Tërnava.

Ai ka mohuar se ka një vëlla të quajtur Zymer Tërnava.

“Unë si myfti i Republikës deklaroi se është gënjeshtra e radhës drejtuar kundër meje. Asnjëri nga dy vëllezërit e mi nuk është i përfshirë në asnjë përleshje e as në këtë për të cilën po informojnë mediat. Vëllai im nuk e ka emrin Zymer, ndaj kërkoj nga portali që ka bërë lajmin qe të kërkojë falje publike për këtë shpifje të radhës drejtuar kundër personalitetit dhe reputacionit tim”, ka thënë për KALLXO.com myftiu Tërnava.

Ai madje shtoi se do të padisë mediat që sipas tij kanë shpifur për të.

Mediat gjatë ditës se sotme raportuan se vëllai i Naim Tërnavës ka qenë i përfshirë në një rast i cili ka ndodhur të dielën në një fshat të Fushë-Kosovës.

Sipas lajmeve të publikuara vëllai i myftiut Tërnava ka rrahur dhe goditur me çekan një 15 vjeçar pastaj me armë ka kërcënuar familjarët e të miturit.