Mungon e Paditura në Betejën për Shtëpinë

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kishte prova nëse ftesa të paditurës Berisha-Ashiku i ishte dërguar në mënyrë të rregullt.

Shukrije Berisha si paditëse ishte e pranishme në seancë së bashku me mbrojtësen e saj Albana Kelmendi. I pranishëm ishte edhe i padituri tjetër Adem Berisha, avokati Ilaz Qerkini që përfaqëson Ilaz Berishën dhe avokati Bajram Krasniqi si i autorizuar i të paditurve Selvije, Valdet e Fatmir Fetahut.

Në seancë mori pjesë edhe ekspertja e ndërtimtarisë Valbona Saliuka.

Shukrije Berisha më 15 dhjetor 2005 në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës kishte paditur vetëm Adem Berishën, ngase ai kishte hapur procedurën për shqyrtimin e trashëgimisë duke i marrë vetëm deklaratat vëllait të tij Ilaz Berishës dhe motrës së tij Alijes, sipas autorizimit të dhënë nga ata.

Paditësja kishte pretenduar se në ndërtimin e shtëpisë kontestuese kishin kontribuar vetëm ajo së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë dhe kunati tjetër në Gjermani Ilaz Berisha.

Ajo kërkonte t’i njihej e drejta për përfaqësim në trashëgimi, sepse ishte në martesë me kurorë, ndërsa kërkonte nga gjykata që Adem Berishës t’i refuzohej e drejta mbi atë shtëpi.

Shukrije Berisha më 1 shkurt të këtij viti bëri ndryshim-rregullimin e kërkesë-padisë, duke shtuar për pesë numrin e të paditurve.

Tash sipas kërkesë-padisë së saj përveç Adem Berishës të paditur janë edhe Ilaz Berisha, Alije Berisha-Ashiku, Fatmir Fetahu, Selvie Fetahu, Valdet Fetahu.

Në padinë e ndryshuar paditësja kërkon që të vërtetohet e drejta e pronësisë sipas certifikatës së pronësisë dhe kërkon që t’i vërtetohet e drejta e pronësisë në gjysmën e shtëpisë.

Po ashtu Shukrije Berisha kërkon nga gjykata që t’i detyrojë të paditurit që t’ia mundësojnë shfrytëzimin e lirë të pronës.

Seanca e radhës u caktua më 31 mars 2016.

Përveç këtij rasti, shtëpinë ku jetoi para luftës me burrin dhe fëmijët është duke e kërkuar në gjykatë edhe Shyhrete Berisha e mbijetuara e masakrës së 26 marsit 1999 në Suharekë.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-nuk-e-pranon-banesen-ne-prishtine-kerkon-shtepine-e-vet/ [interaction id=”56d7fea64ab46a0103682ccd”]