Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria në qendrën për të huajt në fshatin Vranidoll. Foto nga arkivi.

Mungesa e trajnimeve për mësimdhënësit

Më pak se 10 përqind e mësimdhënësve në Kosovë kanë mbajtur seanca informuese se si të arrijnë të identifikojnë sjelljet e dhunës nëpër shkolla të cilat shpiejnë në ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm. 

Nga përqindja del se nga 23 mijë e 173 mësimdhënës në të gjithë Kosovën, vetëm 2 mijë e 859 prej tyre kanë qenë pjesë e këtyre seancave informuese të cilat janë mbajtur kryesisht nga organizata jo-qeveritare. 

Hulumtimi i KALLXO.com tregonte se përveç mungesave të trajnimeve dhe stafit nëpër Qendra për Punë Sociale, komuna të ndryshme, edhe për mësimdhënësit nuk kishte trajnime të mjaftueshme që të trajtojnë ri-integrimin, ri-socializimin dhe shprehitë e dhunës te nxënësit të cilat mund të dërgojnë në ekstremizëm të dhunshëm. 

Ymer Ymeri, nënkryetar në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shekncës e Kulturës (SBAShK), tregon në një intervistë për KALLXO.com se trajnimet janë mbajtur nga shoqëria civile dhe nuk ka ndonjë raport apo dokument të veçantë që mund të përdorej nga mësimdhënësit si metodë e punës me fëmijët. 

“Mendojmë që ish dashtë me i bë trajnime të këtij niveli dhe ish dashtë që këto trajnime të mbahen nga një ekip profesionistësh, jo trajnime që mbahen që sa kohë me trajnime sepse ka edhe organizata që nuk janë të thirrura për trajnime po për shkak të fondeve nga ndërkombëtarët mbajnë trajnime të tilla”, thotë Ymeri deri sa shton se SBAShK, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për shkak se trajnimet duan financim dhe kjo sindikatë gjeneron të ardhura nga anëtarësia. 

Ymer Ymeri, Sbashk, Foto:KALLXO.com

Në anën tjetër Ymeri thekson edhe se nevoja për trajnime vërehet pasi të rinjtë pas përfundimit të shkollimit po bëhen pjesë e organizatave të huaja në vende të ndryshme. 

Nënkryetari i SBAShK-ut, thotë se Ministria e Arsimit ka për detyrë të organizoj trajnime të tilla për mësimdhënësit. 

“Na çdo herë kemi kërkuar nga MASHT, ju kemi thënë merrni shembull nga shtete të tjera formoni institute të trajnimeve, punësoni njerëz të duhur për këtë çështje. Te na nuk ekziston ajo, nëse ne nuk kemi institut me ekspertë të lëmive të caktuara nuk ka me pasë ngritje të performancës në arsim”, thekson Ymeri, ndërsa shton se institute të tilla mund të merren shembull nga shtete të ndryshme. 

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) ka qenë njëra nga organizatat që ka punuar drejtëpërdrejt në trajnimin e disa nga mësimdhënësve për identifikimin e shprehive të dhunës në kohë të hershme. 

“Unë mund të them se në kuadër të projekteve që KEC ka zbatuar kemi këto statistika dhe flasin për rreth 100 shkolla në nivel vendi që janë përfshirë në këto trajnime. Në trajnimet tona që kemi mbajtur i kemi bërë në koordinim me Ministrinë e Arsimit”, thotë Petrit Tahiri nga kjo qendër. 

 

Petrit Tahiri, Qendra për Arsim e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Sipas tij, qëllimi ka qenë që të përkrahet Ministria e Arsimit në mënyrë që të shpërndahet një dokument si udhëzues që tregon në detaje në lidhje me identifikimin e shprehive të dhunës. 

“Fatkeqsisht problemi qëndron jo te numri i trajnimeve apo pjesmarrësve por tek impakti që këto trajnime kanë pasur dhe ky impakt së bashku nëse e bëjmë si indikator të numrit të rasteve që raportohet del që nuk kanë pasur impakt”, tregon Tahiri. 

Sipas Tahirit, Inspektorati i Arsimit duhet të shtoj numrin e inspektimeve nëpër shkolla dhe të kërkoj llogari nga përgjegjësit që rastet që mund të identifikohen, të raportohen dhe trajtohen. 

“Nëse rastet do të trajtoheshin përveç që do të kishim statistika të veçanta do të ishte vlerë e shtuar sepse do të kishim edhe statistika për llojin e dhunës, shkaqet, dhe kur ke këto të dhëna mund të analizosh edhe politikat për t’i trajtuar këto raste”, tregon tutje Tahiri. 

Sipas tij trajnimet për mësimdhënës për të trajtuar këto shprehi por edhe parandalimin e ekstremizmit duhet të jenë si proces të zhvillimit profesional. 

“Trajnimet kurrë nuk janë të mjaftueshme, procesi i zhvillimit profesional është proces që duhet të vazhdoj. Unë mendoj se rëndësia më e madhe në trajnimin e mësimdhënësve është me kriju një klimë në klasë që fëmijët të ndjejnë mundësitë e barabarta që është e drejta për shkollim. Ne kemi punuar pak në këtë drejtim jo mjaftueshëm duhet të punohet në mënyrë të vazhdueshme”, thotë Tahiri. 

Dhjetëra fëmijë të rikthyer nga zonat e luftës janë bërë pjesë e programeve të ri- integrimit dhe ri -socializimit nga ane institucioneve në Kosovë. 

Të njëjtit madje janë vendosur nëpër shkolla në bazë të komunave nga vijnë dhe po vijojnë mësimin. 

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar se si në disa shkolla e institucione lokale kanë munguar psikologët, punëtorët social që të trajtojnë traumat e tyre të cilat i kanë përjetuar gjatë kohës sa kanë jetuar në Siri e Irak.