Marko GJuriq - Foto: REL/AP

MPJ tregon pse nuk ia dhanë lejen Gjuriqit për të hyrë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës sot i ka refuzuar, shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit vizitën në Kosovë.

Gjuriq ka bërë kërkesë të vijë në kohën kur do të mbahen zgjedhjet komunale për katër komunat në veri të vendit.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i Ministrit Behgjet Pacolli, tha se Gjuriq e kishte bërë kërkesën jashtë Marrëveshjes së Brukselit.

“Ne nuk e kemi pranuar kërkesën e z. Marko Gjuriç për të vizituar Kosovën pasi që është paraqitur në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit për vizita zyrtare gjatë një fundjave dhe jo gjate orarit të punës. Kosova respekton plotësisht marrëveshjen e Brukselit dhe nuk do të pranojë provokime nga Beogradi dhe shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve”, tha ai.

Ai po ashtu ka bërë thirrje që Serbia të mos bëjë presion ndaj votuesve dhe qytetarërve serb në Veri.

“Në të njëjtën kohë unë i bëj thirrje Serbisë të mos i bëjë presion komuniteteve në veri dhe të ndalojë frikësimin dhe kërcnimin e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga regjimi në Beograd. Zgjedhjet e së nesërmes janë një mundësi sidomos për komunitetin serb për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre demokratikë që me të vërtetë kujdesen për nevojat e popullatës lokale dhe nuk i shërbejnë bandave të veriut dhe Beogradit”, tha Zyberaj.

KALLXO.com sot ka raportuar për refuzimin e kërkesës së Gjuriqit për vizitë në Kosovë.

Vlastimir Gjorgjeviq kërkon lirim të parakohshëm, familja Bytyqi e kundërshton lirimin e tij