Mitrovicë, gjykata dënon të akuzuarin për narkotikë

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar më një vit e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë të akuzuarin Gezim Gela.

I pandehuri Gela akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas akuzës, policia përkatësisht njësia për antidrogë veri me urdhër verbal të gjykatës së Mitrovicës kishte bërë kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të pandehuri.

Prokuroria  ka sqaruar se në dhomën e gjumit të pandehurit ishin gjetur disa qese me substancë narkotike të fshehura në disa qese plastike, pako cigaresh me firmën“ WINSTON “ dhe në një kuti me mbishkrimin “Nescafe”.

Po ashtu prokuroria kishte gjetur edhe foli dhe qese plastike me ngjyra të ndryshme të cilat sipas akuzës i pandehuri i kishte përdorur për paketimin e substancave narkotike për shitje.

Ndërsa pas ekzaminimit laboratorik që janë përdorur për paketimin e substancave narkotike për shitje, është treguar se është prezent kanabisi ( marihuanë ) që përmban Tetrahidrokanabinol ( THC ) pesha neto e përgjithshme 383.17 plus minus 0.0001 gram.

Në seancën e mbajtur sot në gjykatën e Mitrovicës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihej në barrë.

Ndërsa me pajtimin edhe të prokurorit Ismet Ujkani, gjykatësi Beqir Halili ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga gjykatësi Halili, i akuzuari Gela është dënuar me një vit e gjysmë burg dhe 500 euro gjobë.

Gjykata në matjen e llojit dhe lartësisë së dënimit ka marr parasysh rrethanat lehtësuese siç ishte ajo e pranimit të fajësisë nga i pandehuri që në seancën e shqyrtimit fillestar.