Mitrovica me semaforë jofunksional, komuna premton zgjidhje brenda vitit

Semaforët e vendosur në disa pjesë të qytetit të Mitrovicës tash e disa vite nuk funksionojnë. Kjo ju ka shkaktuar mjaft telashe qytetarëve të Mitrovicës, duke pasur parasysh edhe rrezikun nga veturat e shumta që qarkullojnë në qytet.

Semaforët e vendosur prej pjesës së stacionit të autobusëve e deri te qendra përkatësisht pjesa e njohur nga mitrovicasit si “ Te Hotel Adriatiku “, nuk funksionojnë.

Mos funksionimi i semaforëve në qytetin e Mitrovicës po shkakton kaos të madh në qytet, ndërsa qytetarët shprehen të indinjuar për neglizhencën e autoriteteve komunale rreth kësaj çështje.

Albert Gashi, qytetar nga Mitrovica konsideron se kjo gjendje e trafikut është katastrofale.

“Kjo tollovi që po ndodhë çdo ditë me automjete këtu midis qendrës së qytetit është katastrofë dhe vërtetë  nuk ka kuptim më kështu të vazhdojë. Organet komunale duhet të ndërmarrin sa më parë hapa konkret, në mënyrë që të eliminohet kjo gjendje”, ka thënë Gashi.

Edhe Afërdita Arifi tha se krahas punimeve që po zhvillohen në tunel, mos funksionimi i semaforëve në qytet e ka rënduar tejmase qarkullimin normal të automjeteve, duke shkaktur tollovi të automjeteve dhe vonesa të mëdha.

Sipas saj, komuna është dashur të intervenojë shumë më herët e jo të lejojë që me vite semaforët të jenë jashtë funksionit.

“Semaforët që disa vite nuk punojnë në Mitrovicë. Krahas punimeve rreth riparimit të tunelit që po zhvillohen në dalje të qytetit, prishja e këtyre semaforëve dhe mos funksionimi i tyre, e kanë rënduar gjendjen akoma më shumë në këtë qytet. Komunarët është dashur të intervenojnë shumë më herët, e jo të lejojnë vite të tëra një gjendje të tillë”, theksoi Arifi.

Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Mitrovicë, Naser Muja, ka bërë të ditur për Kallxo.com se aktivizimi i semaforëve në Mitrovicë ka qenë prioritet I Drejtorisë me të cilën ai udhëheqë.

Sipas tij, punimet rreth funksionalizimit të semaforëve do të fillojnë brenda një muaji, ndërsa do të përfundojnë në tërësi deri në fund të këtij viti.

“ Semaforët prej që kam ardhur unë, do të thotë që një vit e më shumë, nuk kanë funksionuar asnjëherë. Tash si prioritet i imi ka qenë aktivizimi i seamforëve në Mitrovicë. Është shpallur tenderi, është shpallur edhe fituesi dhe vetëm po presim afatin kohor. Nuk mund të them saktë cilën ditë, por  besoj brenda një muaji fillojnë punët e para, ndërsa brenda këtij viti semaforët në Mitrovicë do të jenë të rregulluar”, sqaroi Muja.