Ministria u zbret rrogat, pakënaqësi te punëtorët e Galerisë Kombëtare

Pavarësisht se u ishte premtuar rritje pagash, pas miratimit të Rregullores së re për gradimet dhe pagat e krijuesve përformuesve dhe stafeve tekniko artistike nga Qeveria, MKRS ka lënë të zhgënjyer pjesën dërmuese të punëtorëve të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Përveç se nuk u janë rritur pagat sikurse u ishte premtuar deri në 50%, në muajin e fundit punëtorët e këtij institucione kanë marrë paga edhe më të vogla, para miratimit të rregullores së re.

Duke mos u pajtuar me situatën e re sa i prektë rrogave dhe të ndjerë se në ministri për të rishikuar situatën.
Naim Spahiu përfaqësues i punëtorëve të GKK-së ka pohuar për Kallxo.com se punëtorët e këtij institucione ndihen të dëmtuar nga mënyra se si janë duke u trajtuar me rregulloren e re.

“Po, ne kemi drejtuar një kërkesë në MKRS për të rishikuar situatën e krijuar pasi shumica prej punëtorëve të GKK-së nuk kanë gëzuar premtimet e dhëna se me rregulloren e re ata do të kenë paga dinjitoze. Përkundrazi, jo vetëm se janë rritur por në disa raste edhe janë zvogëluar”, ka thënë Spahiu.

Ai ka pohuar se pret mirëkuptimin nga MKRS për kërkesat e tyre, sa i përket çështjes së pagave.

Ndërkaq zyrtarë të MKRS kanë pohuar për Kallxo.com se problemi se pse punëtorët e galerisë nuk kanë përfituar 50% rritje në pagë është se punëtorët e Galerisë kanë pasur pagë të përcaktuar me koeficient, pra, siç kanë thënë ata, kanë pasur pagë më të lartë se ka qenë e përcaktuar me Rregulloren e vitit 2011.

Samir Hoxha, këshilltar i politik i ministrit të kulturës, Kujtim Gashi, tha për KALLXO.com se punëtorët e GKK-së kanë ruajtur pagat e tyre me koeficient pasi, sipas tij, nuk është e ligjshme që paga t’i zvogëlohet punëtorit deri sa ka pasur kontratë.

“Kjo i bie se nga 2011 punëtorët e kanë marrë pagë më të lartë se ajo që ka qenë e përcaktuar e Rregulloren e vitit 2011, pra kanë qenë ligjërisht të diskriminuar pozitivisht në krahasim me punëtoret e tjerë”, ka pohuar ai, duke shtuar se me rregulloren e re është bërë gradimi dhe nivelizimi i pagave kështu, që për punëtorët e GKK-së, është marrë për bazë paga që ka qenë e përcaktuar për secilën pozitë me rregulloren e vitit 2011, e jo paga që punëtorët kanë pas me koeficient.