Ministria e Tregtisë urdhëron pikat e derivateve t’i vendosin çmimet në hyrje

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që para  çdo pike shitëse të derivateve të vendosen çmimet e produkteve.

Këto tabela me çmime duhet të vendosen para hyrjes në pikat shitëse në mënyrë që të qytetarët të informohen para se të furnizohen me derivate.

“Në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit, ka nxjerrë një urdhëresë e cila i obligon të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbime të shitjes së produkteve të naftës, ku çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës (nafta, benzina dhe GLN). Tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës duhet ta kenë të pasqyruar permanent çmimin e produktit dhe të vendosen para ose në hyrje të pikës shitëse dhe të ketë dukshmëri të qartë dhe çmimet të jenë të lexueshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës të gjithë operatorët ekonomikë në rast të mos zbatimit do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.