Ministria e Kulturës mbështet vendimin për ndalimin e punimeve në Kalanë e Novobërdës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është vënë në mbështetje të vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve për ndërprerjen e të gjitha punimeve në Kalanë e Novobërdës.

Punimet në Kalanë e Novobërdës ishin  iniciuar së fundmi si rezultat i dëmtimeve në muret e Kalasë gjatë muajit mars 2019, dhe po kryhen nga kompania serbe “Koto”.

Përmes një njoftimi për media, MKRS bënë të ditur se ka kërkuar nga Zyra e BE-së që të shqyrtojë të gjitha mundësitë  ligjore për ndërmarrjen e masave të domosdoshme,  meqë janë nënshkrues të marrëveshjes me UNESCO-n, pasi siç thuhet në komunikatë, kompania e cila zbaton punimet është e përzgjedhur nga UNESCO dhe pret që të njëjtit të marrin përgjegjësitë ligjore.

“Punimet nuk do te lejohen të vazhdojnë deri në pranimin e raportit të detajuar të cilin e presim jo më larg se deri në fillim të javës së ardhshme. Në të kundërtën, marrë në konsideratë gjendjen e krijuar përfshirë këtu dhe rrethana tjera të sigurisë së monumentit, jemi të obliguar të ndërmarrim veprime tjera në konsolidim të gjendjes dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore dhe te tjera relevante”, thuhet në komunikatë.

Komunikata citon edhe ministri Kujtim Gashi, i cili mbështet vendimin e IKMM-së, duke e quajtur një hap të duhur për ta mbrojtur këtë monument nga dëmtimet e mëtejme.

“Ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me Institutin dhe vendimi që ka ndërmarrë ai është hap të cilin unë si ministër e mbështes sepse është obligim i yni që trashëgiminë tonë ta ruajmë dhe të kujdesemi për të”, citohet të ketë thënë ministri Gashi.