Ministri i Kulturës Kujtim Gashi takon dy drejtorë nga Maqedonia e Veriut

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur sot në selinë e MKRS në Prizren, një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ministri Gashi është takuar me zëvendës drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Izmit Nura dhe drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani.

Përmes një komunikate për media, MKRS njofton se gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve ne fushën e rinisë dhe kulturës.

Sipas kësaj komunikate ministri Gashi i informoi mysafirët për politikat që ka hartuar e zhvilluar MKRS-ja në dobi të interesave dhe fuqizimit të të rinjve dhe të fushës së trashëgimisë në Republikën e Kosovës.

“Ministri theksoi se është e nevojshme marrja e përvojave të mira të rajonit dhe të vendeve evropiane për ndërtimin e standardeve sa më të mira dhe të përshtatshme për nevojat e Kosovës në këto fusha”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e MKRS.

Tutje, komunikata sqaron se ministri Gashi, ka pohuar përkushtimin e MKRS-së për realizimin e projekteve të përbashkëta me qëllim rritjen e shkëmbimeve të përvojave dhe profesionistëve të fushat e rinisë dhe të trashëgimisë, pa lënë anash edhe fushat tjera për të fuqizuar bashkëpunimin në mes dy vendeve.

Ndërkaq, sipas komunikatës, miqtë u shprehën të gatshëm për të filluar bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve të cilat kanë për qëllim fuqizimin e rinisë dhe kulturës në vend dhe në rajon.