Ministri i Financave flet për të hyrat gjatë këtij viti, por jo për pagën me rritje

Ministria i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar raportin financiar gjashtëmujor për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.

Ministri i MF-së, Bedri Hamza bëri të ditur se të hyrat buxhetore kanë pasur një rritje prej 6 për qind në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

“Rritja e të hyrave buxhetore është më e shpejtë se ajo e vitit 2017. Kemi buxhet stabil që na e mundëson realizimin e projekteve në nivel lokal dhe qendror”, tha Hamza.

Ai shtoi se është optimist se ky trend do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të vitit.

Hamza deklaroi se sipas këtij raporti, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës për gjashtë muaj kanë pranuar 40 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtw të vitit paraprak.

Me rritjen e të hyrave, ministri shtoi se janë rritur edhe shpenzimet kapitale. “Pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale në buxhet është rritur në 28.1 % nga 26.6 %”, thuhet në raportin e MF-së.

Sa i përket vendimit të Qeverisë për mos rishikim të buxhetit për këtë vit, Hamza tha se nuk është hera e parë që nuk ka rishikim të buxhetit dhe u shpreh optimist se buxheti është i mjaftueshëm për të gjitha financimet e kërkuara.

“Këtë vit kemi qenë të kujdesshëm, kemi biseduar gjatë me FMN-më për buxhet të qëndrueshëm. Ne gradualisht duhet të rritemi të kemi planifikim të mirë për një vit, për të hyra s’kemi problem dhe me këtë buxhet që e kemi do të mundësohet financimi i projekteve të parapara”, tha ministri.

Sa i përket projektligjit për rritjen e pagave, Hamza tha se nuk do të miratohet një kosto e cila e rrezikon stabilitetin financiar në Kosovë dhe se duhet të jetë e përballueshme për buxhetin.

Ministria e Financave në periudhën janar-qershor 2018, thuhet se ka nënshkruar shtatë marrëveshje financiare për grande dhe një për kredi. Grandet e përfituara arrijnë vlerën në 65.5 milion euro.

Ministri Bedri Hamza, kishte kundërshtuar marrjen e pagës me rritje, ndërsa kur u pyet nëse vazhdon ta ketë këtë qëndrim, ai tha se kjo temë është e konsumuar dhe se vendimet i ka marr mbi analiza korrekte.