Ministri Abelard Tahiri - Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë: Jam i tronditur nga vrasja në Skenderaj

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj rastit të vrasjes në Skenderaj

“Jam i tronditur dhe i trishtuar me lajmin për humbjen e jetës në mënyrë brutale të qytetarit I. Z. në Skënderaj. Ky rast dhe mënyra veçanërisht mizore e rrethanave nga të cilat I. Z është privuar nga jeta, është një goditje e rëndë për shoqërinë tonë dhe për shtetin e së drejtës të cilin po përpiqemi ta fuqizojmë”, shkroi ai.

Ai shtoi se ‘siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet e rendit dhe ligjit do të jenë në krye të detyrës dhe ta zbardhin këtë rast sa më parë’.

KALLXO.com raportoi mbrëmë se një person është gjetur i djegur në makinën e tij në afërsi të këtij fshati.

Prokurori Rexha ka sqaruar se pistat e para të dyshimeve janë për vrasje pasi sipas tij afër makinës janë gjetur disa gëzhoja të armës.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku më pas ka zbuluar identitetin e personit që mbrëmë u gjet i vdekur në veturën e tij të djegur në Prekaz të Epërm.

Sipas Lushtakut fjala është për Ilir Zeqirin nga Kopiliqi i Epërm.

Lushtaku ka shkruar se Ilir Zeqiri ishte veteran i luftës dhe vëlla i dëshmorit Gazmend Zeqiri.