Mbyllet punëtoria e armëve në Kodër të Trimave

Policia e Kosovës në një aksion të gjerë gjatë ditës së sotme, të koduar “Shënjestra”, ka konfiskuar një arsenal armësh të shkurtra dhe të gjata si dhe ka arrestuar 18 persona në lidhje me këtë rast.

KALLXO.com nga burime të saj ka mësuar se në kuadër të këtij operacioni është shkatërruar edhe një punëtori e armëve në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

Sipas burimeve, dyshohet se revolet me gaz të prodhuara në Turqi, janë modifikuar në këtë punëtori, dhe janë shndërruar në armë normale, duke marrë parasysh se armët me gaz nuk gjuajnë plumba, por nëse atyre u përpunohet tyta, ato shndërrohen në armë të zjarrit.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme për aksionin e policisë, nga i cili u arrestuar 18 persona dhe u konfiskua një arsenal armësh.

Armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Aksioni i Policisë ishte shtrirë në disa lokacione, si Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë.

Ky plan është organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 27 lokacione, objekte banimi si dhe objekte përcjellëse.

Ai tha se hetimi i grupit të dyshuar për trafikim me armë ilegale kishte filluar që më shumë se tetë muaj.

Sipas tij disa nga të dyshuarit janë edhe recidivist të veprës dhe janë të njohur për policinë.

“Hetimet kanë filluar bazuar në informacione se personat e dyshuar kanë trafikuar armë nga Maqedonia Veriore pastaj ne territorin e Kosovës kanë tregtuar me to”, tha drejtori Fetahu.

“Nuk përjashtohet mundësia që këta persona trafikojnë edhe armë të tjera te zjarrin por kjo është një formë tjetër sepse këta trafikojnë arme nga Maqedonia dhe Serbia. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 18 persona dhe janë konfiskuar 57 arme 9000 fishekë 2 vetura 10 mijë euro 25 telefona”, tha ai.

Ndaj të arrestuarve A.F., P.F., M.F., M.Sh., I.R., R.M., N.M., P.M., A.F., B.A., S.N., A.H., K.P., E.B., K.D., B.J., S.K., F.U., është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.