Mbyllen disa lokale pasi që nuk respektuan orarin e punës në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Inspeksioni ka mbyllur mbrëmë disa lokale pasi që zhvilluan veprimtarinë e tyre pas orës 23.

Siç bëhet e ditur, gjatë këtij aksioni në bashkëpunim me Policinë janë inspektuar gjithsej shtatë subjekte afariste, ku pas inspektimit u konstatua se dy prej tyre nuk e kanë respektuar orarin e punës.

“Mbrëmë, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me Policinë kanë kryer kontrolle inspektuese sipas detyrës zyrtare në disa subjekte afariste në rajonin e qytetit të Mitrovicës. Qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orarit të punës nga bizneset e përfshira në këtë kontroll të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.

Me këtë rast, tutje bëhet e ditur se Inspektorati i Tregut dhe ai Sanitar kanë marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar përkohësisht zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve deri në eliminimin e parregullsive.