Mbrojtja e zyrtarëve të AGK kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës
Ish-kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) Zekrija Shabani dhe ish-drejtori ekzekutiv i Bordit, Arben Salihu të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim me fonde e konflikt interesi, kanë kërkuar nga Gjykata e Prishtinës hedhjen poshtë të aktakuzës.
Mbrojtja e Zekrija Shabanit, avokati Arianit Koci ka dorëzuar pranë Gjykatës kërkesën për hudhje poshtë të akuzave që e rëndojnë të mbrojturin e tij, mbi bazën se asnjë provë nuk e provon fajësinë e tij.
Gjithashtu edhe mbrojtja e Arben Salihut, avokati Valon Hasanit ka parashtruar të njëjtën kërkesë.
Mirëpo në shqyrtimin e sotëm, prokurorja Dulina Hamiti, qëndroi në tërësi prapa akuzave që i ka ngritur kundër të akuzuarve në fjalë, duke kërkuar refuzimin e kësaj kërkese të mbrojtjes.
Avokati Koci konsideroi se prokurorja nuk po i jep kohë vetës që ta analizojë kërkesën, duke mos i përmbushur kështu obligimet e veta ligjore.
“Prokuroria nuk po i përmbush obligimet dhe nuk i ka vërtetu faktet që shkojnë në favor të të mbrojturit tim, siç e pamë kërkesën për hedhje të aktakuzës e ka pranuar sot dhe e kundërshtoj pa i dhënë kohë vetes që ta analizojë të njëjtën. Ne nuk jemi kundërshtarë por jemi palë që i ndihmojmë gjykatës që të zbardhet e vërteta”, tha Koci.
Edhe mbrojtja e Arben Salihut, avokati Valon Hasani nuk e pranoi kundërshtimin e prokurorës duke konsideruar se prokurorja nuk mund të bazohet në raport të auditimit për të akuzuar të mbrojturin e tij për përvetësim në detyrë.
“Prokuroria sa i përket përvetësimit të mjeteve që pretendon se i ka kryer Arben Salihu mbështetet në raportin e auditorit BDO i cili në fakt ka krejt tjetër qëllim. Ai raport është bërë që të identifikohet se mjetet e caktuar a janë shfrytëzuar në raport me kontratën e lidhur mes AGK – KCSF dhe askund nuk tregon që Arbeni i ka përvetësuar ato të holla”, tha avokati Hasani.
Lidhur më kërkesën e mbrojtës së të akuzuarve gjyqtari i rastit Naser Foniqi njoftoi se do të vendos pas seancës dhe do të merret aktvendim i veçantë.
Sipas aktakuzës i pandehuri Arben Salihu në cilësinë e personit zyrtar, drejtor ekzekutiv i AGK-së, gjatë periudhës kohore te vitit 2016-2017 e ka keqpërdorur pozitën me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në atë mënyrë që donacionet – grantet të cilat i ka marrë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, në bazë të kontratës Granti DPS i datës 26 qershor 2016 ku shumën prej 9,998.80 euro e ka përvetësuar, me ç‘rast i ka shkaktuar dëm Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile.
Tutje akuza thotë se i pandehuri Arben Salihu akuzohet për veprën mashtrim lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Evropian, sepse duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar drejtor ekzekutiv në AGK gjatë periudhës kohore të vitit 2016-2017, ka manipuluar me kontratën e punonjëses Florina Desku të këtij Asociacioni të lidhur në mes të AGK-së si punëdhënës, e nënshkruar nga ai si drejtori ekzekutiv dhe nga ana e Florina Desku, me pozitën zyrtare për financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 262,50 euro, bruto dhe kontratën e punës, e datës 01 shtator 2016, e lidhur në mes të AGK-së si punëdhënës, e nënshkruar nga ai dhe nga ana e Florina Desku, zyrtare për financa si punëmarrëse, me vlerë të pagës mujore 525 euro bruto.
Më pas në aktakuzë thuhet se duke prezantuar para anëtarëve të Bordit të këtij asociacioni kontrata me vlerë më të ulët të pagës, kurse kontratat me vlerë më të lartë të pagës i ka prezantuar para donatorëve Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë me KCSF-së, si arsyetim për shpenzimet e kryera për pagesat e punonjësve.
Po ashtu sipas pikës së tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Arben Salihu po akuzohet për veprën konflikt interesi, sepse duke qenë në cilësinë e drejtorit të AGK-së, gjatë periudhës kohore të vitit 2016-2017 me qëllim që vetës apo vëllait të tij A. S., t`i sjell interes financiar ka lidhur kontratë për ofrimin e shërbimeve të riparimit të pajisjeve të IT-së me vëllain e tij që punon si IT për serverë, ku në këtë rast vëllait të tij i janë bërë tri pagesa dhe atë fillimisht më datë 10 janar 2017 shuma prej 205 euro, pastaj më datë 18 janar 2017 shuma prej 190 euro dhe më datë 9 mars 2017 shuma prej 190 eurove.
Sipas aktakuzës i pandehuri Arben Saihu, akuzohet edhe për veprën penale përvetësimi në detyrë, sepse duke qenë në pozitën drejtor ekzekutiv i AGK-së gjatë vitit 2016-2017, me qëllim që vetes t`i sjell përftim pasuror të kundërligjshëm ka përvetësuar shumën prej 9,998 euro prej grantit DSP II-GI-17 të datës 26 gusht 2016 të cilin e ka marrë nga KCSF-ja, duke i shkaktuar dëm të njëjtës në vlerën e cekur si më lartë.
Tutje sa i përket të pandehurit Zekrija Shabani, sipas aktakuzës i njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Kryetar i Bordit të AGK-së, gjatë periudhës kohore të vitit 2016 përkatësisht më datë 1 janar 2016 e ka keqpërdor pozitën zyrtare në atë mënyrë që deri sa ishte në cilësinë e kryetarit të Bordit të këtij asociacioni ka nënshkruar kontrata të punësimit në vlera të ndryshme të pagës për të pandehurin Arben Salihu, fillimisht në vlerë mujore prej 1,185 euro bruto dhe më pas prej 1,150 euro bruto.
Zekrija Shabani po ashtu akuzohet edhe për veprën keqpërdorim i besimit, pasi që sipas prokurorisë pasi e ka përfunduar mandatin e tij si kryetar i Bordit të AGK-së, në vitin 2016, i njëjti duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim që vetit t’i sjell përftim pasuror të kundërligjshëm ka tërhequr mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme nga xhirollogaria e AGK-së.
Sipas aktakuzës i njëjti fillimisht më datë 6 qershor 2016 ka tërhequr shumën e të hollave prej 800 euro, pastaj më datë 6 korrik 2016 ka tërhequr shumën e parave prej 700 euro, kurse më datë 5 shtator 2016 ka tërhequr shumën prej 1,350 euro, që në total i ka tërhequr nga xhirollogaria e AGK-së është vlera prej 2,850 eurove.