Spitali në Gjilan

Mbledhje Provash për Vdekjen e Mësueses

Arbenita Spahiu, 27 vjeçarja që ishte edhe mësuese vdiq më 3 mars të këtij viti në Spitalin e Gjilanit gjatë lindjes së foshnjës së saj.

Arben Ismajli, prokurori që po e heton këtë çështje tha për KALLXO.com se janë duke u intervistuar disa persona për të kuptuar se a i erdhi vdekja Spahiut nga moskujdesi i mjekëve.

“Në bazë të raportit preliminar të mjekësisë thuhet se pacientja ka pasur shok hemorragjik. Jemi duke punuar që të shikojmë se a kanë vepruar me kohe mjekët të cilën kanë qenë në ngjarje,” tha prokurori Ismajli.

Ismajli bëri të ditur se Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës ditëve në vijim do të shtojnë aktivitetin hetimor për të grumbulluar prova shtesë me qëllim të zbardhjes së plotë të kësaj vdekjeje.

Nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor të Arbenita Spahiut tashmë janë arrestuar dy persona.

“Janë dy të arrestuar dhe dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Neni 260,” tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit Ismet Hashani.

Për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor sipas Kodit Penal të Kosovës një mjek mund të dënohet me 3 vjet burg nëse metodat e përdorura të mjekimit ia keqësojnë gjendjen pacientit. Nëse pacientit i dëmtohet rëndë shëndeti, mjeku mund të dënohet nga 1 deri në tetë vjet burg.

Kur trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor shkakton vdekjen e një, ose më shumë personave dënimet janë nga 1 deri në 12 vjet.

Edhe Hashani konfirmoi intervistimet e personelit mjekësor dhe dëshmitarëve okularë.

“Janë intervistuar personeli mjekësor dhe dëshmitarë okularë që kanë pasur njohuri mbi ngjarjen në ditën kritike. Njëkohësisht në këtë proces të hetimit janë pranuar edhe raportet preliminare të IML-së, ku është dhënë mendimi i mjekëve ligjorë,” tha Hashani. [interaction id=”56f27d82a01a31a05d3061c9″]