Mbledhje në Sallën Alternative Pa Opozitën

Edhe pse në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk u suspenduan gjashtë deputetë të opozitës, ata nuk janë në sallën ku po zhvillohet seanca.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli këtë e arsyetoi me mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës edhe në sallën aktuale ku po mbahet mbledhja.

“Ne i kemi lejuar disa kolegë të opozitës që të marrin pjesë ne seancë. Ka shqetësim se do te fusin gaz lotsjellës, mirëpo kjo është një sallë e vogël,” tha Veseli.

Përveç në sallën e mbledhjeve gaz lotsjellës u hodh edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nga nënkryetarja Aida Dërguti.

Ajo pasi bëri këtë veprim, suspendimin e shumicës së deputetëve opozitarë e cilësoi të paligjshëm.

“Në mbledhjen e sotme të Kryesisë u diskutua për suspendimin e deputetëve, përveç gjashtë prej tyre. Qëllimi ishte suspendimi i deputetëve e mendoj se është i kundërligjshëm. Edhe emri im është në listën e suspendimit,” tha Dërguti.

Dy nga deputetet që nuk janë suspenduar treguan se sigurimi nuk po i lejon të hyjnë në sallë.

“Ne nuk na lejuan të hyjmë. Në katin e parë na lanë të kalojmë, në të dytin qëndrim tjetër, e edhe në katin e tretë qëndrim prapë tjetër. Kemi dashtë të shkojmë dhe t’ua pamundësojnë seancën,” tha deputetja Besa Baftiu.

Edhe deputetja Valdete Bajrami tregoi se megjithëse nuk është e suspenduar nuk e lanë të hyjë.

“Kontrollet na u bënë deri në detaje, na u hoqën edhe këpucat, por nuk na lanë të kalojmë,” tha Valdete Bajrami.

Në sallën alternative po diskutohet për buxhetin.