Mbi tri vjet në krye të shtetit, presidentja Osmani s'e ka kthyer asnjë ligj në Kuvend

Legjislatura e 8-të e Kuvendit të Kosovës në shtator pritet të nis sesionin vjeshtor- të fundit para zgjedhjeve të reja parlamentare. Që nga marsi i vitit 2021, kur është konstituar kjo legjislaturë, janë miratuar gjithsej 254 ligje.

Por, asnjë nga këto ligje nuk janë kthyer në rishqyrtim në Kuvend nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila e ka ketë të drejtë të përcaktuar me Kushtetutë.

Nga fillimi i mandatit të saj, ajo i ka shpallur gjithsej 233 ligje, përderisa ka ligje të cilat nuk i ka nënshkruar, mirëpo ato kanë hyrë në fuqi pas afatit të paraparë me Kushtetutë.

Me Kushtetutë është e përcaktuar që ligji i miratuar nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë ditësh pasi të ketë marrë ligjin.

Ndërsa, presidenti ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj.

Neni 80 i Kushtetutës, thotë se nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Sipas të dhënave të Kuvendit të Kosovës, gjatë mandatit të presidentes Osmani, 13 ligje janë shpallur në pajtim me këtë nen, pra pa nënshkrimin e saj.

Ndërsa, prej vitit 2021, tri ligje të miratuara në Kuvend janë shpallur të pavlefshëm nga Kushtetuesja: Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të
destabilizimit në treg dhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Nga Zyra e Presidentes kanë konfirmuar për KALLXO.com se deri më tani Osmani nuk ka kthyer për rishqyrtim asnjë nga ligjet e miratuara nga Kuvendi.

“Deri më tani Presidentja e Republikës së Kosovës nuk ka kthyer për rishqyrtim ligjet e miratuara nga Kuvendi, por ka ligje të cilat akoma pa u përcjellur në Presidencë janë dërguar nga palë të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet të cilat janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë proceduar për shpallje në Zyrën e Presidentes pas nxjerrjes së aktgjykimeve përfundimtare të Gjykatës për to”- thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Kërkesat ndaj Osmanit për Ligjin për KPM-në

Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i miratuar në Kuvend më 11.07.2024.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

AGK-ja ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të dalë me qëndrim publik lidhur me këtë çështje.

Në një konferencë për media më 31.07.2024, Osmani tha se Presidenca e ka derën hapur për palët e interesuara, por “AGK-ja nuk ka kërkuar takim me presidenten”.

Më 22.08.2024, KALLXO.com ka kërkuar nga Presidenca informacione nëse ka ndonjë qëndrim lidhur me Ligjin për KPM-në dhe Ligjin për KPK-në.

Në përgjigjen e dërguar thuhet se këto dy ligje nuk janë përcjell asnjëherë për shpallje në Presidencë për shkak se të njëjtat janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

“Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të datës 11.07.2024, nuk janë përcjellë asnjëherë për shpallje në Presidencë sepse bazuar në njoftimet zyrtare të pranuara nga Gjykata Kushtetuese, ligjet në fjalë janë dërguar në Gjykatë për vlerësimin e përputhshmërisë së tyre me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndaj ligjeve të kontestuar pranë Gjykatës Kushtetuese në pajtim me nenin 113 (5) të Kushtetutës, zbatohet efekti pezullues”- thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Ndërsa tutje thuhet se deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata, të njëjtat nuk mund të përbëjnë objekt shqyrtimi në Presidencë.

Më 20.08.2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet për Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

Edhe, LDK-ja ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Ligjet “e bllokuara” në Gjykatën Kushtetuese

Shtatë ligje të miratuara në Kuvend të Kosovës janë duke u shqyrtuar aktualisht në Gjykatën Kushtetuese pas pretendimeve të palëve të ndryshme, që të njëjtat janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në procedurë të shqyrtimit janë ligjet në vijim: Ligji për Fondin Sovran; Vlerësimi i kushtetutshmërisë së përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 28 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme; Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 8A, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4,të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 55 të Ligjit për Avokatinë në Republikën e Kosovës; Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave; Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Vlerësimi i përputhshmërisë me Kushtetutën të nenit 9, paragrafi 5 dhe 7, nenit 14, nenit 16, nenit 26, nenit 79, paragrafi 4 dhe nenit 89, paragrafi 12, të Ligjit nr. 08/L-257për Administrimin e Procedurave Tatimore”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për KALLXO.com.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se prej vitit 2021, Gjykata ka pranuar 15 kërkesa për vlerësim të Kushtetutshmërisë.

Ligji për KPK-në u dërgua dy herë në Gjykatë Kushtetuese gjatë qeverisjes Kurti. Deputetë opozitarë e dërguan Ligjin për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese për herë të parë më 2022, e cila, gjithashtu, vlerësoi se një pjesë e konsiderueshme e ndryshimeve nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.