Maqedoni: Marsh protestues për të drejtat e punëtorëve

“Të na vlerësojnë më shumë edhe ne punëtorëve edhe punën” .

Me këto thirrje nisi marshi i sivjetshëm i “Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë”.

Rritje e pagave, regres për pushimin vjetor për të gjithë, stop rritjes së kufirit për pensionim, vende të shëndetshme dhe të sigurta të punës. Këto janë kërkesat kryesore që i parashtruan punëtorët e Maqedonisë së Veriut.

“Me shumë marshe po shënohet 1 Maji dita ndërkombëtare e punëtorëve këtu në Shkup. Qindra punëtorë kanë dalur për të kërkuar të drejtat e tyre nën moton “Nuk mund të vendosni pa ne, për ne”. Punëtorë kanë halle të ndryshme.

“Protestojmë për të drejtat e punëtorëve, tani momentalisht për tepricën teknike paguajnë 6 paga ndërsa ne kërkojmë 12”, tha një punëtor në “Okta”.

“Të punuarit në të zezë, vullnetarizëm për 10-15 vjet, paga jo të rregullta, nuk ka regeres, e shtunë dhe e diel në punë, shumë çështje ka, nuk është vetëm një”, tha një punëtor në Hekuran.

“Për të drejta më të mëdha të punëtorëve, pagë më të lartë, regres për të gjithë për pushim vjetor dhe  mos të ketë marrëveshje parciale për një muaj dy”, u shpreh një punëtor në Ndërmarrje Publike Komunale.

Marshi protestues filloi nga objekti i “Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë”. Marshuesit u ndalën më pas para Kuvendit dhe vazhduan deri te Qeveria.

E ata që punonin, shikonin nga anash protestën.  Pjesëtarët e Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë parashtruan edhe kërkesa të tjera dhe thënë se të gjitha kërkesat do t’i shpalosin para Këshillit soical-ekonomik, kërkesa tjetër është ligj i ri për marrëdhënie pune të përshtatur sipas legjislacionit evropian. “Investime më të mira, politika më të mira ekonomike dhe sigurimi i së drejtës për të punuar për të gjithë.

Krijimi i vendeve të qëndrueshme pune, më shumë vende pune për gratë, të rinjtë dhe personat me pengesa, siguri në vendet e punës dhe marrëveshje për punësim në kohë të pacaktuar. Stop për përzierje në organizimin e sindikatave, ligj i veçantë për sindikatat, avancim i dialogut aktiv, real, cilësor dhe shoqëror”, deklaroi Darko Dimovski, kryetar i LSM.

Pas mbarimit të marshit, përfaqësuesit e lidhjes së sindikatave të Maqedonisë u futën në Qeveri, ku mbajtën takim me Këshillin social-ekonomik.

Në këtë takim u tha se Ligji i ri për marrëdhënie pune është në procedurë. Kryeministri Zaev, premtoi se deri më 1 korrik paga minimale e cila është 12 570 denarë, do të rritet në 13 mijë denarë. Ai premtoi se do të rritet edhe paga mesatare dhe pensionet.

Ndryshe Dita e punëtorëve festohet në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva që është mbajtur prej 1 deri më 4 maj në vitin 1886 në Çikago, kur demonstruesit kërkonin vendosjen e orarit të punës prej tetë orëve. Organizatoret e grevës ishin nxjerrë para gjykatës, ndërsa katër prej tyre u ekzekutuan./TV21