Nga fushata e Levizjes Vetëvendosje - Foto: Facebook

LVV: Thaçi është 'baba' i Asociacionit, e jo kundërshtar i saj

Lëvizja Vetëvendosje i ka reaguar presidentit Hashim Thaçi për deklarimet e sotme në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duke i kërkuar Thaçit që të distancohet në së paku 3 gjëra, që sipas LVV-së, në to ka hise presidenti Thaçit, si kryeministër e ministër dikur.

“Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e Prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas LVV-së, presidenti Thaçi është “baba” i Asociacionit.

“Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është Thaçi implementuesi, por kryeministri i tij kukull”, thuhet tutje në komunikatë.

Presidenti Thaci i ka reaguar sot kryeministrit Hoti për vizitën që pritet ta mbajë nesër në Bruksel ku pritet të diskutohet edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Sipas Thaçit, askush nuk ka të drejtë të diskutoj për çështje që tashmë janë të përfunduara.