Përfaqësues të Listës Serbe – Foto: REL

Lista Serbe ankohet në PZAP vendimin KQZ-së për moscertifikim

Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pas vendimit të djeshëm të KQZ-së për të mos i certifikuar tre nga katër kandidatët e saj për komunat veriore të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 19 maj.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-së.

“Lista Serbe dje rreth orës 16:00 ka parashtruar në PZAP një apel ndaj vendimit të KQZ-së për mos certifikimin e kandidatëve të saj për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë në katër komunat e veriut të Kosovës “, ka thënë ai duke mos dhënë më shumë detaje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje nuk ka arritur të certifikojë kandidatët e Listës Serbe për kryetar të katër komunave në Veri.

Dy abstenimet e anëtarëve të  Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala nuk krijuan 8 votat e mjaftueshme për t’u certifikuar këta kandidatë.

Arsyetimi i anëtarëve të VV-së për këtë refuzim ishte se tre kandidatët e Listës Serbe ishin ata që kishin dhënë dorëheqje nga këto pozita muaj më parë, zhvillim që nxiti thirrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave.