LDK kërkon zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Presidenti i vendit të shpall datën e zgjedhjeve të reja.

Isa Mustafa mblodhi sot kryesinë e LDK-së për të vendosur se çfarë do të bëhet tutje pasi Kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

“Kryesia vlerëson se pas dorëheqjes së Kryeministrit, LDK kërkon nga Presidenti që të nis  datën e zgjedhjeve”, tha Mustafa.

Lidhur me arsyen e dorëheqjes së Haradinaj, që ishte ftesa për intervistim në Gjykatën Speciale, Mustafa tha se e vlerësojnë se ‘do të pastrohet para gjykatës të votuar nga Kuvendi.

Megjithatë, Mustafa insiston se ‘LDK nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve’.

Kjo është hera e dytë që Haradinaj ‘detyrohet’ të tërhiqet nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata e Hagës.

Haradinaj gjatë kumtimit të vendimit të tij, garantoi qytetarët e Kosovës që taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës do të vazhdoj të mbetet edhe pas dorëheqjes.

Vendimi për taksen 100 për qind ishte vendosur në nëntor të vitit 2018.

“Më lejoni të iu siguroj se taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha ai, të premten.

Haradinaj tha që Bashkësia Ndërkombëtare është duke bërë gabim që po insiston në largimin e taksës.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia Ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmimin të papërballueshëm për Kosovën, për njohjen”, shtoi Haradinaj.

Në fund ai porositi pasardhësin e tij që të mos e vë në ‘pazarin’ e dialogut vendimin për taksën.

KALLXO.com ju sjellë 10 vendimet më të përfolura të Qeverisë së Ramush Haradinajt.

Ai u votua për kryeministër në shtator të 2017.

  1. Formimi i Ushtrisë
  2. Vendosja e taksës prej 100% për produktet serbe dhe boshnjake
  3. Rritjen e pagës për vetën dhe ministrat e tjerë
  4. Kalimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi
  5. Numri i madh i emërimit të zëvendësministrave
  6. Pagesa e 53 milionëve për kompaninë Bechtel&Enka
  7. Deportimi i 6 shtetasve turq nga Kosova
  8. Krijimin e një ekipi negociator që Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues
  9. Punësimet politike në PTK
  10. Diskutimet për veteranët e UÇK-së dhe dorëheqja e ish prokurorit Elez Blakaj

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.