Adullah Hoti
LDK e quan “plaçkë moderne institucionale” 53 milionët e “Bechtel Enkas”
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një konference për media ka hedhur kritika ndaj presidentit Hashim Thaçi, ashtu edhe ndaj Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Ai tha se Thaçi ka bllokuar KQZ-në nga data 27 mars e këtij viti dhe se një gjë e tillë, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Ndërsa kërkoi nga presidenti që sa më parë ta kryejë obligimin e tij kushtetues dhe t’i emërojë anëtarët e KQZ-së, pasi që me këtë bllokadë sipas tij, ai ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe demokracinë në vend.
“Presidenti nuk është duke e kryer detyrën e tij kushtetuese, siç parashihet me nenin 84, pikën 2, ku ai duhet t’i pranoj propozimet që i çojnë subjektet politike për anëtarë të KQZ- së. Me ketë vonesë të funksionalizimit të KQZ-së, presidenti ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor në vend dhe për demokracinë. Mos funksionalizimi i KQ z së për dy muaj ka ndikuar negativisht në punën e kuvendeve komunale në veçanti. Sot ka me dhjetëra kërkesa nga kuvendet komunale nga mbarë Kosova që presin për zëvendësim të këshilltarëve komunal në KQZ. Ne kërkojmë që presidenti sa më parë të kryej obligimin kushtetues dhe të emëroj anëtarët e KQZ së”, tha ai.
Hoti ka folur dhe për ndarjen e 53 milionëve nga Qeveria, për autostradën “Bechtel & Enka” për përfundimin e projektit të autostradës R6, Prishtinë -Hani i Elezit si dhe për vendime të tjera të Qeverisë për ndarje të mjeteve nga rezervat shtetërore, quke e quajtur këtë plaçkë moderne institucionale.
“Ndarja e 53 milionë euro për autostradë. Ky është abuzim i parasë publike. Siç ka qenë abuzim dhe falja e 60 milion euro borxhe të ndryshme. Mandej ndarjet e vazhdueshme të mjeteve nga rezervat shtetërorë pa asnjë kriter. Rritja e pagave për kabinetin qeveritar. Ose shpenzimet qe bëhen për 70 zv/ ministra tash dhe për koordinator nacional. Siç është cilësuar dhe nga plot analistë, kjo është plaçkë moderne institucionale, e shpenzimit të parasë publike”, tha Hoti.
Hoti ka folur dhe për platformën për bisedimet me Serbinë, duke thënë se LDK tashmë ka shprehur qëndrimin e saj kundër draft platformës së qeverisë, e cila është dorëzuar në Kuvend. Ai theksoi se tani po presin që Qeveria ta sjellë një platformë të re dhe pastaj do ta japin qëndrimin e tyre, në lidhje me këtë.
“Lidhur me këtë platformë, e kemi bërë publik qëndrimin tonë si parti politike, që është mbështetur plotësisht nga grupi parlamentar, që draft platforma, që është dorëzuar në Kuvend, nuk e ka mbështetjen tonë. Tash presim çfarë platforme të re do të sjellë Qeveria dhe pastaj do ta themi fjalën tonë prapë”, tha ai.
Hoti ka folur dhe për rritjen e rreziqeve fiskale, paqëndrueshmërisë fiskale në vend. Ai tha se një delegacion i FMN-së, i cili ka qëndruar këto ditë në Kosovë, ka shprehur shqetësime rreth paqëndrueshmërisë së financave publike, që po ndodh në Kosovë dhe me mungesën e reformave për mbështetje të sektorit privat.
Ai tha se përkeqësimi i pozitës fiskale, do të ketë pasoja viteve të ardhshme, duke i dëmtuar shpenzimet publike kapitale. Ndërkaq mungesa e reformave për të mbështetur sektorin privat, sipas tij do të qoj në rritje të papunësisë.
Ai ka folur dhe për statutin e Trepçës dhe për draft statutin e miratuar nga qeveria javën e kaluar. Ai përmendi problemet në këtë statut, si mos adresimi i duhur i problemeve sociale të punëtoreve. Ndërsa dhe më shqetësuese sipas tij mbetet dhe mos përfshirja e gjitha aseteve të Trepçës në statutin e ri.