
Kandidati i AAK-së Smajl Latifi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Latifi (AAK): Do ta trefishojmë mbështetjen për fermerët
Kandidati për deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Smajl Latifi, e konsideron bujqësinë si sektor të rëndësishëm në rritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Për të zhvilluar këtë sektor, në programin zgjedhor të këtij koalicioni parazgjedhor, është paraparë rritja e subvencioneve dhe krijimi i disa lehtësirave për bujqit.
“Efektet e punës në bujqësi mund të ndikojnë në rritjen e Bruto Produktit Vendor. Ne kur i rrisim subvencionet, kur i hapim më shpesh thirrjet për grante, që [bujqit] të fitojnë projekte në partneritet me qeverinë, me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, sigurisht që është lehtësi për ta”- tha Latifi në “Debat Përnime”, më 23.01.2025.
Në debat, ai foli edhe për vështirësitë që i kanë bujqit edhe pse marrin subvencione, meqë, sipas tij, ato i marrin me vonesë dhe si të tilla nuk ju ndihmojnë si duhet në punën e tyre.
Ai është zotuar se nëse koalicioni i tyre vjen në pushtet, kjo praktikë do të ndryshohet.
“Bujqit e Kosovës nuk i kanë marr subvencionet edhe pse aplikimet kanë ndodh në shkurt të vitit që shkoi [2024]. Ne hapim thirrje rrallë për grante. Ne po mendojmë që të hapim çdo vit thirrje për grante, e dy herë në vit për mbjelljet e kulturave pranverore, si dhe mbulim më të madh me serra e stalla”- tha Latifi.
Trajtimi i sektorit të bujqësisë më prioritet, sipas tij, përveçse do t’i përmbushte nevojat e Kosovës si shtet, do të ndikonte që produktet vendore të jenë konkurrues në rajon.
Ndër të tjera, Latifi përmendi edhe buxhetin vogël që ndahet për këtë sektor.
”Ju them të drejtën, pak mbi 90 milionë është buxheti për bujqësi për këtë vit. Për mallra dhe shërbime 4 milionë e 800 mijë, investime kapitale 4 milionë e gjysmë, në grante subvencione dhe transfere 74 milionë, që do të thotë që është aq buxhet i pamjaftueshëm sa ne nuk mund të jemi konkurrentë”, thotë ai.
E keqja më e madhe, sipas tij, është që prodhimet e Kosovës edhe pse “janë shumë më të mira, më cilësore e më të kërkuara”, prapë se prapë, “fermeri ynë me prodhimet e veta kur të del në treg mbisundohet nga importi”.
Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, Latifi premtoi trefishim të mbështetjes për fermerët në katër vitet e para të mandatit.
Ndërsa, Arton Demhasaj tha se kanë paraparë 1 miliard euro investime për bizneset e vogla, apo nga 250 milionë për çdo vit.
Demhasaj tha se pjesa e produkteve vendore ka nevojë për një kontroll të cilësisisë e pastaj edhe për fushatë vetëdijësuese në mënyrë që ato t’i kenë standardet e BE-së.
Ai përmendi edhe sektorin e turizmit, duke fajësuar qeverinë e drejtuar nga kryeministrit Albin Kurti se e ka harruar që ekziston.
“Imagjinojeni kjo qeveri e ka ndalë edhe një rrugë që ka qenë t’u u ndërtu, rruga Deçan-Plavë që e ngjallë turizmin e asaj pjesë. Ka qenë një prej projekteve me të rëndësishme të zhvillimit të turizmit sidomos në pjesën e Bjeshkëve të Deçanit”- tha ai.
Në program, Demhasaj tha se kanë paraparë ndërtimin e tri qendrave të skijimit: një që lidhet me Deçan në Bjeshkën e Belegut; e dyta që lidhet me Bjeshkën e Rugovës; dhe e fundit në Bjeshkët e Sharrit.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: