Kushtet e reja nga AKK për institucionet e licencuara për teste të COVID-19

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës përmes një konferencë të mbajtur gjatë ditës së sotme ka bërë të ditura kushtet e reja për institucionet të cilat janë licencuar për kryerjen e testimeve për COVID-19.

Valon Prestreshi, kryetar i AKK-së ka bërë të ditur se këto masa janë ndërmarrë pas vendimit të bordi për licencimin e institucioneve private shëndetësore për testimin për COVID-19.

“Pas vendimit të bordit për licencimin e institucioneve private shëndetësore për lejimin e shërbimeve të testimin për COVID-19, dhe duke u mbështetur në listën e laboratorëve të licencuar për kryerjen e këtyre shërbimeve, dhe duke u mbështetur në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, citoj “caktohen në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e blerjes ose shitjes apo çdo kusht tjetër tregtimi”, AKK i ka njoftuar ndërmarrjet e licencuara për kryerjen e testeve për COVID-19 që detyrimisht të zbatojnë dispozitat e nenit 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke ju shmangur çfarëdo marrëveshje të ndaluar me ndërmarrje të tjera të cilat kryejnë të njëjtit shërbim”, ka thënë Prestreshi.

Ai tutje ka thënë se çmimet e këtyre shërbimeve duhet të vajojnë nga laboratori në laborator bazuar në kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 10.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e aktiviteteve, AKK këtë shërbim e konsideron si aktivitet në shërbim të interesit publik, si interes shtetëror andaj AKK do të jetë i pa kompromis nëse do të vërej ndonjë keqpërdorim abuzim apo çfarëdo kusht tjetër tregtar i vendosur nga ndërmarrjet përkatëse”, ka thënë ai.

Prestreshi tutje ka bërë të ditur se AKK gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga këto institucione të cilat janë licencuar që deri të hënën në orë 16:00 të ja dorëzojnë AKK-së listën e çmimeve për shërbimin, e kryerjes se testeve për COVID-19 në mënyrë elektronike.

“Ndërmarrjet përkatëse janë të detyruar që qarkullimin javorë për këto teste çdo të hënë ta dorëzojnë në AKK, po ashtu deri në përfundimi e pandemisë  çdo të hënë ndërmarrjet janë të detyruara që importin e testeve molekulare t’ia dorëzojnë  AKK –së në mënyrë elektronike. Po ashtu të premten të gjitha kompanitë e licencuar janë të obliguara të dorëzojnë në AKK planin e biznesit”, ka thënë Prestreshi.

Ai ka bërë të ditur se këto masa janë ndërmarrë në mënyrë që AKK të monitoroj në përpikëri caktimin e çmimeve të kryerjes së këtyre shërbimeve.

Dhjetë laboratore private janë licencuar për kryerjen e testimeve serologjike për SARS Cov-2 nga Ministria e Shëndëtësisë.

Për kryerjen e testeve për COVID-19 këtë javë kanë filluar punën 33 laboratore të tjera private në Kosovë.

Dje në konferencë për media Armend Zemaj, Ministri i Shëndetësisë ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës do të monitorojnë të gjitha laboratoret.