Kurti: Republika jonë asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt, e lirë dhe demokratike

Shefi i Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti uroi qytetarët e Kosovës për 16-vjetorin e pavarësisë së vendit.

Ai në mesin e urimeve që pati kujtoi të gjithë heronjtë, dëshmorët, martirët, e ata të cilët u flijuan, sakrifikuan, punuan e u angazhuan për Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

“Duke i përkujtuar ata ne përkujtojmë se çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërri këtu por edhe rrugën të cilën do ta vazhdojmë sigurisht drejt integrimeve evropiane e euroatlantike për çfarë një falënderim iu shkon partnerëve tanë ndërkombëtar që na mbështetën e ndihmuan” – tha Kurti më 17.02.2024.

Tutje ai tha se në aspektin ekonomik, demokratik, në aspektin e sigurisë e integritetit Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e siguritë, e lirë dhe demokratike.

“Para një muaji ne përkujtuam 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, pas tri jave përkujtojmë 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkaq pas katër muajve do të shënojmë çlirimin e Kosovës, pra rezistenca e çlirimi i paraprinë pavarësisë të cilën e gëzojmë sot, e forcojmë nëpërmjet institucioneve të shtetit, zhvillimit, ekonomisë, progresit demokratik e shoqërorë” – u shpreh shefi i Qeverisë.

Tutje ai tha se ky 16-vjetor e zë Kosovën me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende.

“Të arriturat i mbrojmë, sfidat i tejkalojmë e sukseset i shtojmë bashkë” – përfundoi Kurti.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani uroi qytetarët e la edhe një mesazh.

“Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin të cilin sot e gëzojmë, e festojmë dhe i cili do të vazhdoj të ecë përpara pa bërë asnjëherë hapa mbrapa” – u shpreh e para e vendit.

Presidentja tha se sot shënohet e arritura më e madhe historike e popullit tonë, ditën kur shteti i Kosovës u shpall i pavarur, sovran, i lirë e demokratik.

Sipas Osmanit, këto 16 vite shtet janë bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur. Kjo sipas saj u bë për të treguar para botës se Kosova jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë, por edhe është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj.

Presidentja Osmani: Shteti ynë do të ecë përpara, pa bërë asnjëherë hapa mbrapa

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.