Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kurti për çështjen e targave: Po shqyrtojmë mundësinë për kompensimin e qytetarëve të Luginës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që janë duke shqyrtuar mundësitë shtetërore që të kompensohen financiarisht qytetarët nga Lugina e Preshevës të cilët duhet të paguajnë 5 euro për t’u pajisur me targa të përkohshme për të hyrë në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që shumë qytetarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, tash do t’ju duhet të paguajnë dhe na vie keq për këtë gjë. Ne do të dëshironim që as ne të mos paguajmë e askush që vie nga Serbia në Kosovë të mos paguaj, por jemi duke e shqyrtuar një mundësi se çfarë mekanizmi shtetëror mund të gjejmë që të kompensohen, dhe sado pak ta korrigjojmë këtë kosto që e kanë”, tha Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që ndodhen në jug të Serbisë, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ata të përjashtohen nga vendimi për reciprocitet të targave të automjeteve.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, shoferët që ngasin automjete me targa të Serbisë kur hyjnë të Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës që në automjetet e tyre kanë targa RKS, t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë ato kur futen në Serbi.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Lugina e Preshevës kërkon të përjashtohet nga vendimi për targat