Kurti nuk ia premton askujt postin e ministrit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti thotë se askujt në ekipin e tij nuk ia premton pozitën e ministrit.

Kurti këtë e tha pas pyetjes në emër të komunitetit boshnjak që kërkuan të dijnë nëse do të kenë një ministri të udhëhequr nga kjo pakicë.

Ai tha se pozita e ministrit do të varet nga bisedat e brendshme të mëvonshme dhe se nuk ia premton as ekipit të ngushtë të tij.

“Mendoj se është e domosdoshme që është e domosdoshme që ta adresojmë diskriminimin e pakicave jo serbe karshi asaj serbe. Për ministër as Zëvendësministër nuk i premtoj as këtyre prapa meje. Për mu është e rëndësishme që të jeni prezent në çdo fushë”

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti. Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.