Kryeministri Albin Kurti vendos tufë lulesh te lapidari ku u vranë dy aktivistët e LVV-së - Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti: Ende mungon drejtësia për Mon Balajn e Arben Xheladinin

Aktivistë të Vetëvendosjes, përfshirë tashmë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, familjarë e miq, kanë kujtuar sot aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të cilët u vranë 13 vjet më parë nga policët rumunë të UNMIK-ut.

Në një fjalim të mbajtur në vendin ku u qëlluan aktivistët e Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se 232 plumba të skaduar kauçuku ishin shkrepur kundër protestuesve të asaj dite dhe nga këta plumba u vranë Arben Xheladini e Mon Balaj.

“Ku do të ishin ata sot po të mos kishte ndodhur ajo padrejtësi këtu e 13 vjet më parë? Do të ishin aktivistë të mirë e qytetarë të ndershëm, patriotë e punëtorë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se në atë kohë protestuan për të kundërshtuar Pakon e Ahtisaarit dhe se ajo protestë ishte paqësore, porse nuk u pritën paqësisht.

“Para 13 vjetëve ne protestuam paqësisht mirëpo në këtë vend nuk u pritem paqësisht. Protestuam kundër diskriminimit të shqiptarëve në Pakon e Ahtisaarit, e cila u pat publikuar më 2 shkurt të vitit 2007”, u shpreh Kurti para të pranishmëve.

Vendimet që u morën në atë kohë sot po i kushtojnë shumë Kosovës, shtoi ai.

“Më 10 shkurt 2007 protestuam me shumë të drejtë. Ato vendime që atëherë u pranuan kollaj nga politikanët dritëshkurtër sot i kushtojnë shumë Kosovës dhe ia kanë gjymtuar shtetit sovranitetin e demokracinë. Ne po përpiqemi ta ndreqim por rregullimi dhe korrigjimi merr shumë më tepër kohë sesa dëmtimi dhe rrënimi”, u shpreh para te pranishmëve kryeministri Kurti.

“Drejtësia ende mungon për Monin e Arbenin. UNMIK-u duhet të marrë masa dhe të kthejë përgjigje për opinionin e panelit këshillues për të drejtat e njeriut të UNMIK- ut meqenëse ky panel nxori vendimin se Policia ka pasur faj sa i përket vrasjes së demonstruesve paqësorë. Ne kurrë nuk i harrojmë dhe përherë do t’i kultivojmë idealet e Monit dhe të Arbenit dhe idealet tona të përbashkëta”, përfundoi Kryeministri.

Më pas, kryeministri Kurti bashkë me zyrtarë të partisë së tij, aktivist e miq të Balajt e Xheladinit, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te varret e këtyre dy të fundit.