Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kundërkandidati reagon ndaj deklaratave të Lutfi Hazirit se “Gjilanin do ta fitoj pa fushatë”

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka zgjedhur që garën politike të kësaj vjeshte ta zhvilloj pa investime në fushatë, duke thënë mes tjerash se rezultati nuk mund të ndryshoj, duke aluduar edhe një mandat tjetër për të.

Nazim Gagica, kandidat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka dashur të komentoj deklaratat e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ka thënë që një mandat të 3-të do ta fitoj pa fushatë në këtë komunë.

Në një prononcim për KALLXO.com, Gagica i cili është edhe drejtor i Arsimit në këtë komunë ka thënë që pavarësisht vendimit të kundër kandidatit të tij, ai do të zhvillojë fushatë.

“Nuk u përgjigjem deklaratave të kandidatëve, unë do të bëjë fushatë, ta prezantoj programin tim para qytetarëve, do të prezantojmë vlerat tona të këshilltarëve, subjektit dhe me to do të garoj”, tha ai.

Tutje Gagica tha se si AAK, nuk kanë bërë ndonjë sondazh sesi qëndrojnë si parti në Gjilan.

“Nuk kemi bërë sondazhe, fillojmë me planin e veprimit që e kemi ndërtuar tash, unë 3 javë më parë janë nominuar kandidat për kryetarë komune dhe këto 3 javë kam konsoliduar radhët, kam bërë ekipin tim të këshilltarëve do ti qasemi fushatës dhe do të jemi në garë politike për të kërkuar votën e qytetarëve”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili në këtë komunë synon një mandat të tretë ka deklaruar se nuk do të zhvillojë fushatë politike.

Haziri në një deklaratë në ATV i ka konsideruar si ‘të mërzitshme e me harxhime’ fushatat zgjedhore.

“Do të bëjë zgjedhje pa fushatë me që perceptimi publik dhe matja e opinionit publik në Gjilan më ka dhënë atë privilegjin dhe atë vlerë me pas vlerësim pozitiv pas krejt këtij shërbimi, e un do të bëjë zgjedhje pa fushatë”, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se me fondet e parapara për fushatë do të ndërtoj një shtëpi për familje skamnore.

“Krejt ato që mendoj që më bien në përgjegjësi përveç PR edhe rrjeteve sociale edhe brendingun që e bënë partia, pjesën tjetër, mjetet që kom mëndu me i shti në fushatë si kandidatët e tjera, kamë mëndu që me ndërtu një shtëpi për një familje ose me ja ble një banesë”, tha ai.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor.