Kryetari i LDK-së reagon për draft-statutin e Asociacionit nga Ekipi Menaxhues e quan ‘shtet brenda shtetit’

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dokumentin e draft-statutit të përpiluar nga Ekipi Menaxhues e ka konsideruar më tepër se Asociacion “ është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës”.

Sipas Abdixhikut, ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

“Një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mbanë referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues”, shkruan në reagimin e Abdixhikut të dërguar për media.

Kryetari i LDK-së, ka shtuar që draft-statuti si i tillë, jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike.

“Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë,” shtoi ai, duke theksuar që Qeveria ta marrë pronësinë në procesin vijues.

Sispas tij, asociacioni bëhet nga institucionet dhe vetëm brenda rendit kushtetues të Kosovës.

“Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani,” ka thënë Abdixhiku.

Kryeministri Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiqiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.