Kryetari i Komisionit për Arsim kundërshton rrënimin e shkollës për persona të verbër në Pejë

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismaj Kurteshi  ka shprehur shqetësimin e këtij Komisioni për rrënimin e shkollës për persona të verbër në Pejë.

“Komisioni parlamentar i Arsimit është i shqetësuar nga informata se Ministria  e Drejtësisë, ajo e Administratës dhe Ministria e Çështjeve Sociale në dakordim me kryetarin e Komunës së Pejës , janë pajtuar që ta rrënojnë shkollën për persona të verbër në Pejë dhe në vend të saj ta ndërtojnë Gjykatën Themelore të Pejës”, tha Kurteshi në seancën e sotme të Kuvendit.

Kurteshi kërkoi që Ministritë përkatëse të heqin dorë nga plani për rrënimin e kësaj shkollë të vetme në Kosovë dhe për Gjykatë të sigurojnë lokacion tjetër.

“Për këtë duhet të ndërhyjë edhe Ministria  e Arsimit qoftë edhe kryeministri”, tha deputeti.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ditë më parë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me informatën jozyrtare që ka marrë këto ditë për zhvendosjen e nxënësve dhe stafit të Qendrës burimore “Xheladin Deda” në Pejë nga lokacioni aktual.

Kundër këtij vendimi të mundshëm është shprehur  edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.