Miradije Kelmendi, Kryeshefe e IPK-së

Kryeshefja e IPK-së i reagon deputetëve që kërkuan shkarkimin e saj

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi ka reaguar pas thirrjeve të disa deputetëve të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shkarkimin e saj nga pozita.

Sipas Kelmendit, qasja e disa deputetëve në komision është joparimore.

“Lidhur me procesin e rekrutimit tashmë janë vendimet nga tri shkallë të Gjykatës, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme, të cilat vërtetojnë rregullshmërinë e procesit, në bazë të të cilave vendime kam vepruar dhe kandidatët e pranuar në këtë proces kanë nënshkruar kontratat në tetor të vitit të kaluar. Është vërejtur që nga fillimi, që deputetë të caktuar të Grupit punues kanë pasur një qasje joparimore, duke mos marrë për bazë argumentet, por shpifjet nga individë që kanë interesa dhe agjenda personale”, tha ajo në një përgjigje për KALLXO.com.

Tutje, Kelmendi ka shpjeguar edhe për dyshimet e disa prej deputetëve që i shprehen sot gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar.

“IPK nuk ka pranuar ndonjë raport final nga Komisioni, por në bazë të raportimeve mediale, thuhet se është kërkuar shkarkimi im për shkak të gjoja ushtrimit të ndikimit në procesin e rekrutimit të vitit të kaluar, proces i cili është hetuar nga Prokuroria dhe në asnjë fazë nuk kam qenë e dyshuar në këtë proces, i cili tashmë edhe është pushuar”, tha ajo.

Ajo, për kërkesën e deputetëve që kërkuan shkarkimin e saj, tha se puna e saj dhe institucionit që përfaqëson është halë në sy për grupe të caktuara.

“Punën tonë e kanë vlerësuar mekanizmat të pavarur ndërkombëtar dhe vendor të mbikëqyrjes dhe opinionet e tyre janë mbresëlënëse. Është e qartë që sukseset e punës sonë janë halë në sy për grupet të caktuara të interesit. Por, IPK është e përkushtuar që të vazhdojë punën me vendosmëri në përmbushjen e misonit ligjor dhe për këtë kërkohet mbështetje dhe fuqizim i rolit dhe pavarësisë së IPK-së e jo ushtrim i presionit përmes formave të ndryshme nga grupe interesi, qofshin ato edhe politike”, thuhet në përgjigjen e saj.

Kelmendi tha se Inspektorati Policor në vazhdimësi ka ofruar bashkëpunim, për këtë ajo tha se kanë ofruar edhe fakte që e dëshmojnë një gjë të tillë.

“Që nga fillimi i punës së këtij Grupi Punues, menaxhmenti i IPK-së ka ofruar bashkëpunim, duke iu përgjigjur kërkesave të tij për takime, informata dhe dokumente të kërkuara. Për çështjet e ngritura nga Grupi Punues, IPK ka ofruar argumente dhe prova që dëshmojnë se veprimet dhe vendimmarrja në IPK është kryer bazuar në ligjet dhe autorizimet ligjore”, përfundon përgjigja saj.

Ndryshe, sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga disa prej deputetëve prezentë u kërkua shkarkimi i Miradije Kelmendit.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri tha se që nga fillimi ka hasur në dyshime sa i përket shkarkimit të ish-kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmetit dhe ardhjen e Kryeshefes së re Miradije Kelmendi.

“Që në fillim kam shfaq dilemat e mia, është nisur me Kryeshefin Hilmi Mehmeti i cili ka nisur me një konkurs por që më vonë ka dalë që është i pafajshëm. Janë zhvilluar disa procedura dhe tani kemi një kryeshef të ri. Ne kërkojmë që edhe ndaj kryeshefes aktuale të merren masa edhe pse edhe kjo është zgjedhur me konkurs”, tha Ismet Beqiri.

Deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi shtoi se komisioni mund të kërkojë ta shkarkoj Kryeshefen e IPK-së.

“Ne proceduralisht nuk mund ta kthejmë ish kryeshefin në punë por ne si komision mund të kërkojmë që të shkarkohet kryeshefja”, tha Selimi.

https://kallxo.com/kerkohet-shkarkimi-i-kryeshefes-se-inspektoratit-policor/