Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Kriza në Telekom, Bordi i drejtorëve takim me ministrin Kuçi pas bllokimit të llogarive bankare

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ka mbajtur takim me ministrin e Zhvillimit ekonomik dhe Ambientit Blerim Kuçi ku është diskutuar për mundësitë e tejkalimit të situatës në të cilën ndodhet Telekomi, si pasojë e bllokimit nga përmbaruesi privat.

Ky bllokim i llogarive bankare ka ndodhur si rrjedhojë e arbitrazhit të humbur në vitin 2016 ndaj “Dardafon.net” L.L.C. e njohur për opinionin publik edhe si Z-Mobile.

Në njoftimin e Bordit thuhet se në këtë takim ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen ku ndodhen dhe kanë kërkuar mbështetjen e ministrisë për ta evituar bllokimin e Telekomit.

“Ne anëtarët e Bordit i kemi shteruar të gjitha veprimet konkrete në këtë drejtim në baza të përgjegjësive dhe detyrave fiduciare që na janë ngarkuar. Për këtë arsye, si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë e shohim përfshirjen e Aksionarit. Në takimin e sotëm ne hasëm në përkrahjen e Ministrit Kuçi dhe u siguruam që Ministria e z Kuçi do të ndërmerr të gjitha hapat dhe veprimet konkrete për të dalë nga kjo situatë e cila është alarmante, duke kontribuar që të shpëtohet Telekomi i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu bordi ka theksuar se sa i përket procesit në lidhje me bllokimin e llogarive bankare, nga Telekomi është marr çdo hap, por sipas tyre ky veprim është rrjedhojë e problemeve nga vitet e kaluara.

 

Alarmohet ministri Kuqi pas bllokimit të llogarive bankare të Telekomit