Kritikohet Bulliqi: Nuk Dëgjuam Asgjë të Re

Anëtari i PDK-së në Komisionin për Integrime Europiane, Zenun Pajaziti, i tha kryetarit të Komisionit për Shënjimin e Kufirit, Shpejtim Bulliqit, pas raportimit të këtij të fundit se ka pritur që do të ketë më shumë argumente prej tij dhe ekspertëve, ose diçka më konkrete.

“Nuk dëgjova diçka tjetër përveç asaj vizite që keni pasë në Slloveni e Kroaci. Ju keni shku atje, po besoj keni nxerrë diçka, me kry punë. Unë bash s’kam asni emocion as për Komisionin e kaluar e as për juve. Na dojmë që ju me nxerr sa ma shpejt atë raport që me e mbyll këtë proces. Ne dëgjum krejt për ish-Komisionin, neve na nevojitet diçka tjetër: me u sjellë si ekspert”, tha Pajaziti.

Nëse s’keni pasë sot çka me thanë, është deshtë me shty për një javë a dy javë, shtoi Zenun Pajaziti duke iu drejtuar kryetarit të Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.

Kritik ndaj raportimit të Bulliqit ishte edhe anëtari tjetër i Komisionit për Integrime Europiane, Armend Zemaj.

“Nuk do të ishte ndonjë e arritur e madhe e nuk do të na nxirrte nga kjo situatë nëse merremi me punën e ish-Komisionit, se kështu mund të bëjë edhe një komision tjetër që do të vinte pas jush”, tha deputeti i LDK-së.

“I përmendët tri fakte, e unë nuk dëgjova asgjë të re. Veç çka ma ngjalli kureshtjen është kontrolli efektiv e çka sipas jush është kontrolli efektiv, shpjegona! Sot nuk dëgjova asgjë të re, ama bash asgjë”, shtoi Zemaj.

Bulliqi: Raporti i Komisionit Ende Nuk Është Gati për Publikun

KALLXO.com raportoi për raportimin e Shpejtim Bulliqit para Komisionit për Integrime Europiane.