Kreativiteti i kosovarëve me lajmet e rreme në kohë të pandemisë

Pandemia COVID 19 dhe situata politike në vend u shfrytëzuan për të përhapur dhjetëra lajme të rreme e informacione të cilat nuk kanë asnjë bazë shkencore.

Format e shprëndarjes nuk u zgjodhën ndërsa paniku që u shprënda ishte i madh.

Në fund të marsit të këtij viti, muaj në të cilin u shfaqën rastet e para me pandeminë COVID-19 në Kosovë, është shpërndarë një mesazh i rremë në telefonët e qytetarëve, lidhur me grupin e tyre të gjakut dhe rrezikun që vlerësohej si permanent për tu prekur nga virusi.

Në përmbajtje të mesazhit bëhej thirrje që njerëzit t’i drejtohen Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për analiza për shkak të rrezikut, në kohën kur institucionet shëndetësore vendore kërkonin nga qytetarët që t’i shmangen vizitave në spitale në rast se kanë simptoma të coronavirusit, për ta parandaluar përhapjen e mundshme.

Lajmi i rremë u publikua edhe në rrjete sociale, përderisa Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK-ja e demantuan atë, në një deklarim se ky ishte një mesazh i rremë, i krijuar nga grupe të caktuara njerëzish dhe se është raportuar në organet kompetente të rendit dhe ligjit.

Por ky nuk ka qenë e nuk mbetet i vetmi rast kur pandemia po përdoret për përfitime të caktuara të personave duke shpërndarë lajme të rreme, në të shumtën e rasteve përmes rrjeteve sociale.

Në këtë kohë kur mbarë bota po ballafaqohet me situatën e krijuar nga coronavirusi, miliona përmbajtje të rreme janë raportuar për t’u mbyllur, si reagim kundër panikut të mundshëm dhe përfitimeve të jashtëligjshme.

Denoncimi i lajmeve të rreme lidhur me coronavirusin në Kosovë

Lidhur me këtë cështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione në Policinë e Kosovës lidhur me rastet e paraqitura për lajme të rreme dhe arrestime në kohën e pandemisë.

Ndërkaq, Zyra për Informim e këtij institucioni, në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se për periudhën janar-maj 2020 për “lajmërim apo kallëzim të rremë” janë tri raste me tre persona të dyshimtë dhe “Deklarimet e rreme” janë tri raste me shtatë persona të dyshimtë.

Të paktën një hetim penal është hapur deri më tani në Prokurorinë e Shtetit për përhapjen e informacioneve të rreme. Një qytetarë në Prizren kishte shprëndarë informacion se një komshi i tij ishte i infektuar ndërsa pas arrestimit ai pranoj se ishte autor i lajmit të rremë.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës është dashur që në disa raste të reagojnë publikisht për të demantuar informacione të pasakta për pandeminë.

Miliona lajme të rreme lidhur me COVID-19 ‘luftohen’ në mbarë botën

Miliona informacione të rreme, me përmbajtje të ndryshme lidhur me coronvirusin, janë mbyllur nga kompani të mëdha online në mbarë botën.

Njohës të mediave sociale tregojnë për msat e ndërmarra si nga kompanitë “Facebook e “Google”, si dhe arsyet që cojnë deri në publikimin e “Fake neës” nga persona të caktuar.

Redaktori i mediave sociale në KALLXO.com, Granit Mavriqi thotë se në këtë kohë ku shumica e botës është e izoluar është rritur edhe aktiviteti në rrjetet sociale për më shumë se 50 për qind.

“Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë kompania ‘Facebook’. Kjo ka zgjuar edhe interesat e mashtruesëve për të shfrytëzuar këtë rritje. Kompania ‘Google’ ka njoftuar se çdo ditë bllokon mbi 18 milionë e-maile mashtruese me përmbajtje të rreme ndërsa Facebook ka filluar t’iu jap grante organizatave qe mirren me ‘Fact-Checking’ vetëm për të luftuar fenomenin “Fake-Neës’”, bën të ditur Mavriqi.

Sipas tij, falë këtyre organizatave “Facebook” ka identifikuar dhe ka etiketuar mbi 40 milionë shpërndarje të cilat kanë pasur përmbajtje të rreme vetëm gjatë muajit mars të këtij viti.

Një prej organizatave në Kosovë që ‘lufton’ lajmet e rreme është edhe Komuniteti për Siguri Kibernetike dhe Privatësi – Cybersecurity and Privacy.

Mentor Hoxhaj, udhëheqës i organizatës CSP, thekson për KALLXO.com se ata të cilët shpërndajnë lajme të rreme janë persona dhe grupe personash kryesisht të motivuar financiarisht dhe politikisht dhe se sias tij nuk mungon as motivi fetar që me raste gërshetohet me motive politike.

Duke folur për këtë dukuri në Kosovë, Hoxhaj thotë se kanë identifikuar dy të këtyre aktivizimeve.

“Fillimi i pandemisë COVID-19 ka shënuar valën e parë, gjersa mocioni ndaj Qeverisë ka shënuar valën e dytë të aktivizimit të profileve, faqeve dhe lajmeve FAKE”, bën të ditur ai.

Organizata “Cybersecurity and Privacy” kanë raportuar mbi 2000 lajme, postime e video në gjuhën shqipe, të ndërlidhura kryesisht me pandeminë COVID-19.

“Afër 100 faqe, me qindra llogari duke përfshirë dhe phishing! [përmbajtje e rreme për të arritur qasjen në të dhëna personale]”, bën të ditur Hoxhaj, se janë mbyllur në “Facebook” në gjuhën shqipe, falë raportimit që kanë bërë ata.

Lajmet e rreme mbi shkaktarin e pandemisë, siç bën të ditur Hoxhaj kanë qenë, se vituri është shkaktuar nga rrjeti 5G, nga armë biologjike dhe e shkaktuar nga njeriu.

Sipas CSP-së,  si lajme të rreme janë shpërndarë edhe këshilla mjekësore për shërimin e virusit, si soda bikarbonat, gjethet e limonit e të tjera.

“Lajmet satire për pacientin zero ku mediat e kanë shpërndarë si lajm të vërtetë, lajmi satirë për 1,000 persona me mirkroçip i shpërndarë si i vërtetë, teoria konspirative për kontrollimin e botës nga Iluminati përmes 5G dhevaksinës digjitale”, sic tregoi Hoxhaj për KALLXO.com, janë nder lajmet qe kanë pasur impaktin dhe shpërndarjen më të madhe në rrjetet sociale.

Mentor Hoxhaj (CSP), më tej thotë se bashkëpunojnë në kohë reale me Facebok, Google (YouTube) dhe me rrjetet tjera sociale.

“Ne jemi duke ber verifikime e lajmeve (fact-checking)  pjesa e përndjekjes penale nuk është ne kuadër te mandatit ton. Ne mirëpresim bashkëpunimin me Njësinë për Krime Kibernetike pranë Policisë së Kosovë dhe me të gjitha institucionet publike dhe private ne kuadër të objektivi tonë që kemi. ‘Së bashku për një hapësirë kibernetike miqësore dhe të sigurt!’”, përfundoi ai për KALLXO.com.

Ndërkohë, kompania gjigante “Facebook”, në një deklaratë të lëshuar më 5 maj të këtij viti, bëri të ditur se gjatë prillit ka fshirë qindra llogari të cilat ishin krijuar për të shkaktuar përcarje në shoqëri.

Sipas rrjetit më të madh social në botë, më shumë se gjysma e këtyre llogarive të fshira kanë qenë me qendër në Rusi, Iran dhe Gjeorgji, si dhe të njëjtat llogari kanë qenë aktive edhe në rrjetin social “Instagram” që është pjesë e “Facebook”-ut.

Sipas njoftimit, të gjitha rrjetet janë krijuar para pandemisë COVID-19.

“E dimë se njerëzit që përpiqen t’i mashtrojnë të tjerët, qoftë edhe përmes ‘pishing’, i përdorin krizat për t’i çuar përpara qëllimet e tyre dhe pandemia e coronavirusit nuk është ndryshe”, thuhet në deklaratën e “Facebook”.

Ndikimi i lajmeve të rreme në aspektin sociologjik

Informacionet e pavërteta të shpërndara kryesisht online, kanë një ndikim jo të pakët edhe në aspektin sociologjik.

Sociologia, Sibel Halimi thotë për KALLXO.com se në kohë kizash, informata luan një rol të rëndësishëm, ngaqë njerëzit duke qenë në frikë për shëndetin e tyre, niveli i panikut është shumë më i shprehur dhe i lartë.

“Andaj, media, respektivisht informimi i saktë i cili është i bazuar në burime kredibile, luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e suksesshëm dhe ruajtjen e shëndetit mendor. Nuk është e rastësishme në situata të tilla të krijohet një bashkëpunim në mes medias dhe krijimit të politikave emergjente në informimin e saktë të gjendjes së krijuar”, thekson ajo.

Halimi shton se në Kosovë, për shkak të raportimeve të rrejshme edhe nga mediat, janë krijuar situata vështirë të menaxhueshme.

“Megjithatë, fatkeqësisë në mungesë të një monitorimi të medias nga ana e Komisionit të Pavarur për Medias, lidhur me këtë dukuri, shumë portale duke publikuar informata të rrejshme, kanë krijuar një situatë poashtu të rreme, gjë e cila ka qenë vështirë e menaxhueshme. Ndonëse, në situatat e tilla do të duhej të ishte e kundërta, media të jetë burimi kryesor, jo vetëm i mbulimit të ngjarjeve, por një mjet i rëndësishëm i ngritjes së vetëdijes për parandalimin e pandemisë”, theksoi ajo.

Sociologia thekson rëndësinë e informimit të qytetarëve përmes mediave të besueshme.

“Tani më shumë media janë profilizuar, qytetarët duhet të informohen se cilat janë mediat kredibile nga të cilat përzgjedhin të informohen. Në një anë, duhet të ngritët vetëdija e tyre, lidhur me vlerësimin e këtyre mediave. Ndërsa, në anën tjetër, Komisioni i Pavarur për Media duhet të jetë më aktiv, për të ndëshkuar median, e cila arrijnë të përhapë informata të rrejshme, gjithmonë duke u nisur nga fakti që, në kohë të tilla informata është e barasvlershme sa shëndeti i qytetarëve”, tha Halimi për KALLXO.com.

Sipas saj, ajo çfarë vlen të vihet në pah, është menaxhimi i suksesshëm dhe prezenca e e mjekëve në media të cilët i kanë kontribuar luftimit të lajmeve të rreme.