KQZ shpall rezultatet preliminare për kryetarë të katër komunave në Veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për rezultatet preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura të dielën në katër komunat në veri të Kosovës.

Siç njofton KQZ, në komunën e Leposaviqit më së shumti vota ka fituar kandidati i “Listës Serbe”, Zoran Todiq me 7 mijë e 12 vota apo në përqindje 96.6%.

Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është renditur i dyti nga rezultatet preliminare të KQZ-së, me 114 vota apo 2.0%.

Ndërsa, Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje në komunën e Leposaviqit ka marrë vetëm 105 vota po 1.4%.

Në komunën e Zubin Potokut po ashtu partia serbe ka fituar përballë atyre shqiptare. “Lista Serbe” me kandidatin Srdjan Vuloviq ka fituar 3 mijë e 995 vota apo 94.5% të votive në total.

Kandidati i PDK-së Hysen Mehmeti ka fituar 123 vota po 2.9%. ndërsa, kandidatja e Vetëvendosjes, Liridona Kahrimani ka marrë 110 vota apo 2.6%.

Edhe në komunën e Zveçanit, Lista Serbe ka fituar bindshëm ndaj atyre shqiptare.

Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe ka fituar 3 mijë e 767 vota apo 94.7% të të gjitha votave.

Ilir Peci nga PDK ka fituar 130 vota apo 3.3%, ndërsa Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 81 vota apo 2%.

Në Mitrovicën e Veriut, Goran Rakiq nga Lista Serbe mori 2 mijë e 333 vota apo 86.2% të votave të përgjithshme.

Gonxhe Çaushi nga PDK fitoi vetëm 236 vota apo 8.7%, ndërsa Erden Atiq nga Vetëvendosje mori 136 vota apo 5% të votave nga totali.