FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Kosovë: Politikanë të lartë dërgohen në Hagë për t’u përballur me akuza për krime lufte

Kosova përjetoi një çast vendimtar në vitin 2020, kur katër ish-liderë guerilë që u bënë figura të rëndësishme politike në vitet e pasluftës, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, u dërguan në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte dhe pas lufte.

Një dekadë pasi kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bënë akuza të rënda në një raport nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty, Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata me bazë në Hagë, ekzistenca e së cilës doli nga raporti i Marty-t, bëri një hap vendimtar këtë vit drejt gjykimit të ish-guerilëve për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pasi mbi 120 ish-luftëtarë të UÇK-së u morën në pyetje nga prokurorët me qendër në Hagë, dhe më pas në prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti një aktakuzë prej dhjetë akuzash duke akuzuar katër guerile të shquar të kthyer në politikanë – presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, kryetarin e këshillit kombëtar të partisë Nisma Social Demokratike (NISMA) Jakup Krasniqi dhe kreun e grupit parlamentar të partisë më të madhe të opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Më 24 qershor, një ditë para se Thaçi të mbërrinte në Uashington për një takim të profilit të lartë me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, prokurorët e bënë aktakuzën publike, edhe pse ajo ende nuk ishte konfirmuar nga një gjyqtarë i procedurës paraprake.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ishte e nevojshme që akuzat të bëheshin publike për shkak të përpjekjeve të përsëritura nga Thaçi dhe Veseli për të penguar dhe minuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila ka një mandat të gjykojë ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte dhe vrasje politike të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës nga 1998 në 2000.

“Duke ndërmarrë këto veprime, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre personale përpara viktimave të krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe të gjithë popujve të Kosovës”, tha prokuroria në një deklaratë.

“Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar (Krasniqi dhe Selimi) janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptare të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të etnive të tjera dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”, shtoi ajo.

Thaçi i mohoi me forcë akuzat dhe tha se ai do të jepte dorëheqjen, nëse akuza konfirmohej.

Aktakuza ndaj Thaçit u pa si një moment vendimtar jo vetëm për Kosovën, por edhe për qëndrimin e Perëndimit ndaj vendit dhe përpjekjet e tij për të çuar përpara procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Momenti nuk mund të kishte qenë më dramatik se kaq dhe solli akuza nga kampi i Thaçit për një komplot për të prishur takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Në gusht, Thaçi bëri një lëvizje tjetër, duke paraqitur një propozim për ndryshime kushtetuese që duket se kishin për qëllim të ndryshonin mandatin e Dhomave të Specializuara dhe të kufizonin fushën e tyre të veprimit. Sidoqoftë, propozimi i tij u refuzua nga Gjykata Kushtetuese.

Në shtator pati edhe një tjetër zhvillim në këtë histori, kur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi se kishte marrë më shumë se 4,000 dokumente çështjesh nga prokurorët e Hagës, duke përfshirë një listë me emra të dëshmitarëve, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e gjykatës për të mbajtur konfidenciale dosjet e rasteve dhe për të garantuar sigurinë e identiteteve të dëshmitarëve.

Mbrojtja e dëshmitarëve ishte një nga arsyet kryesore pse Dhomat e Specializuara u krijuan jashtë Kosovës – nën presionin e BE-së dhe SHBA-së – dhe të stafi i saj përbëhet nga nga ndërkombëtarë, megjithëse ajo është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës. Gjyqet e mëparshme të ish-guerilëve të UÇK-së, si brenda Kosovës ashtu edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë, janë shoqëruar nga kanosje e dëshmitarëve.

Dhomat e Specializuara reaguan shpejt ndaj rrjedhjes së dokumenteve. Policia e BE-së arrestoi drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i transferoi në Hagë, ku ata kanë mohuar akuzat për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Në nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar gjithashtu lëshoi ​​dokumente që akuzonin Thaçin dhe të bashkë-akuzuarit e tij se ishin përpjekur të ndërhynin te dëshmitarët e mundshëm të prokurorisë.

“Liria ka emër”

Një veteran i UÇK-së duke protestuar kundër njoftimit të akuzave kundër presidentit të Kosovës Hashim Thçi dhe ish-guerilëve të tjerë në korrik. Foto: EPA-EFE/STR.

Më 5 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën që akuzon Thaçin dhe ish-guerilët e tjerë, ai njoftoi se do të largohej nga posti i presidentit të Kosovës për të “mbrojtur integritetin e shtetit”.

Të njëjtën ditë, 52-vjeçari, i cili ka qenë një figurë dominuese në politikën e Kosovës që nga lufta, u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ai dhe tre të tjerët – Veseli, Krasniqi dhe Selimi – u vetëdeklaruan të pafajshëm.

Organizatat e të drejtave të njeriut e mirëpritën aktakuzën. Human Rights Watch tha se ky ishte “një hap pozitiv për drejtësinë, pasi këto krime të pretenduara kanë qëndruar mbi Kosovë për dy dekada”.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, e cila monitoron rastet e krimeve të luftës, tha gjithashtu se konfirmimi i aktakuzës ishte një hap serioz përpara nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Këto dy institucione duhet t’u japin përgjigje pritshmërive të viktimave, si dhe të përcaktojnë të vërtetën në lidhje me krimet e pretenduara në raportin e raportuesit të Këshillit të Europës Dick Marty”, shtoi ai.

Megjithatë, veteranët e luftës së UÇK-së u zemëruan nga kjo aktakuzë. Një fushatë mbarëkombëtare filloi nën moton “Liria ka emër” nga artistë, veteranë dhe politikanë si shenjë mbështetjeje për ish-udhëheqësit e UÇK-së që përballen me gjyqin.

Ndërkohë, në dhjetor, u krijuan dy fonde për të mbledhur para për mbrojtjen – një për Thaçin dhe tjetri për Veselin. Këto erdhën përveç mbështetjes financiare të pakufizuar shtetërore që Kosova tashmë ofron për ata që akuzohen nga gjykata e Hagës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjithashtu iu bashkua fushatës, duke i përshkruar akuzat kundër Thaçit dhe të tjerëve si “trillime në lidhje me pastërtinë e luftës heroike të UÇK-së”.

Gjyqet e krimeve të luftës në vend zvarriten

Darko Tasiç me policinë në Gjykatën Themelore Prizren pasi u dënua në qershor për përfshirje në masakrëm e Krushës së Vogël. Foto: BIRN.

Këtë vit në Kosovë vazhduan disa gjykime krimesh lufte, por me një ritëm të ngadaltë.

Në mars, Zoran Vukotic, një ish-oficer policie serb në Kosovë, i cili tashmë po vuan një dënim për krime lufte për torturim të të burgosurve, u akuzua për përdhunimin e një vajze 16-vjeçare gjatë konfliktit në 1999.

Gjykata Supreme në prill urdhëroi një rigjykim të ish komandantit të njësisë së UÇK-së Remzi Shala, i cili vitin e kaluar u dënua me 14 vjet burg për rrëmbimin në vitin 1998 të një burri etnik shqiptar i cili më vonë u gjet i vdekur.

Ish-polici rezervist serb  Darko Tasiç u shpall fajtor në qershor për pjesëmarrje në një masakër të 109 shqiptarëve etnikë në fshatin Krushë e Vogel në 1999 dhe u dënua me 22 vjet burg. Megjithatë, dënimi i tij u përgjysmua në apel në dhjetor.

Një tjetër ish-polic rezervist serb, Nenad Arsiç, u shpall fajtor në dhjetor për krime lufte kundër civilëve në Prishtinë në 1999 dhe u dënua me gjashtë vjet burg.

Një numër i madh gjyqesh të lidhura me çështje të luftës janë në vazhdim e sipër në Kosovë, por më shumë mund të mbahen nëse mund të vendoset bashkëpunimi i duhur ligjor midis Prishtinës dhe Beogradit, tha prokurorja Drita Hajdari, shefja e departamentit të çështjeve të krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Këtë vit ne kemi hapur shumë raste krimesh lufte të kryera në Kosovë, por nuk do të jemi në gjendje t’i finalizojmë ato nëse Kosova dhe Serbia nuk bashkëpunojnë në nivelin politik”, tha Hajdari për BIRN.