Kosova me Hartë Zonale, Pjesë e Saj edhe Veriu
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot ka nënshkruar vendimin për hartimin e Hartës Zonale për Republikën e Kosovës përfshirë këtu edhe komunat e veriut. Me këtë rast, ministrja Reshitaj tha se hartimi i Hartës Zonale ka qëllim rritjen e mirëqenies, cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Mendoj që po hapim një kapitull të ri sa i përket përmirësimit të planifikimit hapësinor në gjithë Republikën e Kosovës sepse jemi duke punuar në hapa konkretë, në ndryshime pozitive të cilat do të vërehen sidomos në vendet urbane”, tha ministrja Reshitaj.
Ajo tregoi se pjesë e hartimit të Hartës Zonale të Republikës së Kosovës, do të jenë edhe komunat e veriut.
“ UN-Habitat është duke punuar me përkushtim të madh dhe jemi në bashkëpunim tërë kohën sa i përket kësaj çështjeje. E gjithë Republika e Kosovës do të ketë hartën, gjegjësisht kjo është Hartë Zonale e gjithë Republikës së Kosovës”, deklaroi Reshitaj.
Ministrja foli edhe për çështjen e ndërtimeve ilegale duke thënë se kjo do të rregullohet me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“ Ne të gjithë e dimë dhe jemi dëshmitarë okularë të asaj se çfarë ka ndodhur me ndërtimet në të gjitha vendet urbane, ekskluzivisht në kryeqytet. Me procedimin e draft- ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, mendoj që ne jemi futur në fazë tjetër dhe presim një ndryshim konkret”, tha Reshitaj.
Reshitaj tha se Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje jep mundësi të legalizohet një numër i madh i ndërtimeve pa leje të cilat janë ilegale si dhe të moslegalizohen ato ndërtime që janë jashtë planifikimit urban.
Ndërsa drejtori i Departamentit të Urbanizmit në MMPH, Servet Spahiu tha se janë 22 komuna që janë në proces të hartimit të Hartës Zonale.
“ Te hartat zonale në proces janë 22 komuna, kryesisht të gjitha janë në fazë fillestare ndërsa disa i kanë nxjerrë vendimin e parë tjerat janë në proces”, tha Spahiu.
Ai tregoi se Komuna e Prishtinës ka dy vjet që ka punuar në krijimin e databazës në të cilën sipas tij janë përpunuar të dhënat, ndërsa aktualisht kryeqyteti është në fazën fillestare të hartimit të Hartës Zonale.
Përfaqësuesit e MMPH-së, vlerësuan se procesi i hartimit të Hartës Zonale do të zgjasë deri në dy vjet, ndërsa për shkak të kohëzgjatjes së tij nuk u dha edhe kostoja e shpenzimit për hartimin e Hartës Zonale.
Me harta zonale nëpërmjet fotografive, grafikëve e tekstit përcaktohet destinimi dhe shfrytëzimi i hapësirës që lidhet me investime publike dhe private.