Komuna Gjilanit me buxhetin e projekteve të caktuara, pagoi diçka tjetër
Komuna e Gjilanit nga fondet e projekteve të buxhetuara për vitin 2023, kishte paguar projekte tjera, këtë e bëri të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit [ZKA] në raportin e auditimit për këtë komunë.
“Nga mostrat e testuara, kemi vërejtur se në tri (3) raste janë kryer pagesat nga fondet e projekteve të aprovuara në ligjin e buxhetit 2023 për projekte tjera”- thuhet në gjetjen e raportit.
Auditori renditi projektet kapitale ku pati përzierje të pagesave.
Kontrata për projektin “Asfaltimi i rrugëve në Lagjen e Vishnjeve, pjesa I”, është nënshkruar në vitin 2022 në vlerën prej 199,878€, bazuar në ndarjet buxhetore të vitit. Megjithatë, projekti nuk ishte realizuar në tërësi gjatë vitit 2022. Si rezultat i kësaj, në vitin 2023, komuna ka kryer pagesat për këtë projekt në vlerën prej 18,582€, duke shpenzuar fondet e projektit “Ndërtimi i rrugëve në fshatrat e zonës lindore dhe në zonën e tretë të qytetit”.
Kontrata për projektin “Asfaltimi i rrugëve në lagjen Arbëria” e nënshkruar në vitin 2022 në vlerë prej 165,480€, bazuar në ndarjet buxhetore të vitit. Megjithatë, projekti nuk ishte realizuar në tërësi gjatë vitit 2022. Si rezultat i kësaj, në vitin 2023 komuna ka kryer pagesë për këtë projekt në vlerë 70,660€ duke shpenzuare fondet e projektit “Ndërtimi i kanalizimeve fekale dhe gropave skeptike në zonën lindore”.
Kontrata për projektin “Mirëmbajtja teknike e objekteve” e nënshkruar në vitin 2021 në vlerë 1,871,560€, bazuar në ndarjen buxhetore të vitit. Megjithatë, projekti nuk ishte realizuar në tërësi gjatë vitit 2022, si rezultat i kësaj në vitin 2023 komuna për këtë projekt ka kryer pagesë në vlerë 18,456€ nga fondet e projektit “Ndërtimi dhe shtrirja e ndriçimit publik në zonën e tretë të qytetit të Gjilanit”.
Raporti tregon se kjo kishte ndodhur si rezultat i menaxhimit jo të mirë të buxhetit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të projekteve kapitale.
Pra, zyrtarët përgjegjës për buxhet në Komunë pas miratimit të ligjit të buxhetit për vitin 2023, projektet kapitale të pa përfunduara nga vitet paraprake, nuk i kishin raportuar në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve si projekte dhe obligimet të pa përfunduara për t`i bërë ndryshimet e kërkuara në tabelën 4.2 (financimi i investimeve kapitale komunale) Komuna në mungesë të ndarjeve buxhetore për këto projekte, gjatë vitit 2023 kishte realizuar pagesa nga fondet e projekteve tjera.
Shfrytëzimi i fondeve nga një projekt për pagesën e obligimeve të projektit tjetër duke anashkaluar procedurat ligjore sipas auditorit rritë rrezikun që projektet e aprovuara të mos realizohen dhe në mos arritjen e objektivave të komunës.
Kreut të komunës ju rekomandua të sigurojë forcimin e kontrolleve dhe përgjegjësisë në ndarjen e fondeve për projektet kapitale.
“Kryetari duhet të sigurojë që të përforcohen kontrollet dhe të rritet përgjegjësia në procesin e ndarjes së fondeve për projektet kapitale, duke i dhënë prioritet projekteve të papërfunduara nga vitet paraprake”- rekomandon auditori.
Gjetjen Auditori e bazon në Ligjin për buxhetit nr. 08/L-192 neni 9, pika 2 ku thuhet se jo më vonë se 30 ditë pas lëshimit të ndarjeve buxhetore të plota për vitin fiskal 2023, Qeveria dorëzon në Kuvend për informim tabelën që tregon ndryshimet e bëra në tabelën 4.2 (financimi i investimeve kapitale komunale), që kërkohet nga organizatat buxhetore për të përmbushur obligimet e pakryera financiare nga viti paraprak.
Nga Komuna e Gjilanit janë pajtuar me gjetjen e raportit.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 22.05.2024 nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023”.
Ndryshe, Auditori kishte gjetur se mbi 36 mijë objekte të regjistruara sa ka Komuna e Gjilanit, inspektorati komunal arriti t`i verifikoj vetëm 7 për qind të tyre.
ZKA: Inspektorati verifikoi vetëm 7% nga 36 mijë objekte të regjistruara në Gjilan